Gjyqtari Ervin Trashi pas seancës dëgjimore. Foto: Vladimir Karaj.
KPA Veting

KPA largon përfundimisht nga sistemi drejtësisë Ervin Trashin

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi mbrëmjen e të enjtes më 15 dhjetor 2022 vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Vlorës, Ervin Trashi. Në njoftim sqarohet se vendimmarrja është marrë në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Mimoza Tasin dhe anëtare Albana Shtylla, Ina Rama e Natasha Mulaj – pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Trashit kundër vendimmarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK.

Ervin Trashi u shkarkua nga detyra më 12 nëntor 2021, pasi KPK gjeti se kishte kryer deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme për pasurinë dhe figurën.

Në vendimin e arsyetuar të KPK thuhet se Trashi u gjet me balancë negative prej 5.9 milionë lekësh, si dhe u ngritën dyshime për fshehjen e posedimit të një automjeti. Ai u vlerësua i papërshtatshëm për pastërtinë figurës, pasi nuk kishte deklaruar një procedim penal për korrupsion të regjistruar në ngarkim të tij.

Ervin Trashi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Gjirokastrës. Prej vitit 2011 dhe deri në shkarkimin nga detyra, ai e ushtroi funksionin pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *