Prokurori Edmodn Shytko Foto LSA
Analiza KPK

Pamundësia për të provuar burimet e dy apartamenteve penalizuan Edmond Shytkon

Prokurori i Korçës, Edmond Shytko u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 28 shtator 2022, pasi nga hetimi administrativ u konstatuan pasaktësi në deklarimin e pasurive dhe burimeve të krijimit të tyre, si dhe balanca negative për dy apartamente, një prej të cilëve i dhuruar. Ndërkohë, ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe se kishte arritur nivel kualifisikues në aspektin profesional.

Vendimi për shkarkimin e Shytkos u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshin, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Firdes Shulin.

Edmond Shytko e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punoi prej gati dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Korçë.

Shytko ka deklaruar zotërimin e një apartamenti me sipërfaqe 54.5 m² në Pogradec, në vlerën 2.5 milionë lekë në bashkëpronësi me bashkëshorten – pasuri e fituar me dhurim nga vëllai i kësaj të fundit. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI ka konstatuar mungesë dokumentacioni justifikues ligjor për burimin e krijimit të shumës 2.5 milionë lekë për blerjen në vitin 2007 të këtij apartamenti nga kunati i subjektit, shtetasi M.Gj.

Komisioni vëren se në vitin 2007, pasuria është regjistruar në emër të blerësit M.Gj, sipas certifikatës së pronësisë. Në vijim, në vitin 2009 ai i’a ka dhuruar motrës dhe bashkëshortit të saj Edmond Shytko, “në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për të gjithë kujdesin ndaj nënës dhe ndihmën e tyre të dhënë deri në atë moment, në mungesë të tij”.

Nga hetimi ka rezultuar se dhuruesi M.Gj. nuk disponon pasuri të tjera në emër të tij. Ndërkohë, ka rezultuar se deri në momentin e blerjes së apartamentit në janar të vitit 2007, ka pasur llogari në euro dhe lekë ku janë kryer disa transaksione gjatë periudhës 2003-2004, në total tri transferta në vitin 2003 në shumën totale 265 mijë lekë dhe depozitime cash po në shuma të vogla, 121 mijë lekë lekë dhe 1950 euro.

“Nga hetimi i Komisionit në lidhje me dhuruesin e apartamentit M.Gj rezultoi se ky shtetas nuk ka kryer investime në pasuri të paluajtshme, automjete, depozita apo çdo investim tjetër. Në këtë situatë, për Komisionin rezultoi e dyshimtë dhe e paqartë arsyeja e dhurimit të apartamentit subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortes”, ka konstatuar KPK gjatë hetimit paraprak dhe i ka kërkuar Shytkos që të provojë me dokumentacion ligjshmërinë e burimit të krijimit të kësaj pasurie nga dhuruesi.

Subjekti ka shjeguar se kunati ka studiuar në Turqi dhe pas mbarimit të shkollës së lartë është kthyer në Shqipëri ku ka punuar në programe të Komeve të Bashkuara për Zhvillimin dhe si konsulent për disa shoqëri. Ai ka vendosur në dispozicion të Komisionit një mesazh të kunatit, duke pretenduar se aty sqaroheshin të ardhurat e përfituara prej tij nga puna përpara blerjes së apartamentit në Pogradec.

Po ashtu ka shpjeguar se kontratat e punësimit nuk i disponon, pasi një pjesë e madhe e tyre të lidhura 15 apo 20 vjet më parë, kanë qenë në formate të ndryshme – në disa raste pa kopje për punëmarrësin ose të depozituara pranë punëdhënësit. Sipas subjektit, pagesat në sektorin privat nuk bëheshin në bankë, por në arkën e shoqërisë.

Bazuar në këto shpjegime, Komisioni i ka kaluar Shytkos barrën e provës për pamundësinë e vërtetimit të të ardhurave të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie nga dhuruesi në shumën 2.5 milionë lekë në vitin 2007. Po ashtu, i është kaluar barrë prove për paqartësi të arsyes së dhurimit të pasurisë së vetme që kunati dispononte.

Sipas KPK, subjekti ka arritur të vërtetojë vetëm një pjesë të të ardhurave nga punësimi kunatit dhe për rrjedhojë është konkluduar se nuk arriti të provojë burimet e ligjshme që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në shumën 2.5 milionë lekë.

KPK nuk e ka pranuar si të bazuar pretendimin e subjektit se ndodhet në kushtet e pamundësisë objektive për të provuar të ardhurat e ligjshme të kunatit pasi ka kaluar një kohë shumë e gjatë, rreth 20 vjet, dhe dokumentacioni është përtej afateve të ruajtjes në arkiva. Këtë konkluzion Komisioni e argumenton me faktin se Shytko arriti që pjesërisht të depozitonte dokumentacion provues mbi punësimet e kunatit. “[…]Pra rezultoi që këto institucione i kanë vënë në dispozicion personit të interesuar aktet edhe ndonëse dokumentet ishin arkivuar kohë më parë”, vëren KPK.

Ndërkohë, sipas KPK, subjekti nuk ka arritur në një rast të provojë as punësimin e kunatit në një insitucion, si dhe as pamundësinë objektive të këtij institucioni për të disponuar aktet dhe arsyet e mosdisponimit të tyre.

“Gjatë punësimit të shtetasit M.Gj në Tiranë, ai ka banuar në qytetin e Mamurrasit, ndërkohë që blen një apartament në Pogradec, qytet në të cilin nuk e lidhte asgjë, përveç afërsisë me Korçën ku banonte e motra bashkë me subjektin e rivlerësimit”, vëren KPK.

Në analizim të të gjithë situatës, Komisioni ka vlerësuar edhe mundësinë e blerjes së këtij apartamenti nga ana e subjektit në vitin 2007, prej nga ka rezultuar pamundësi e prokurorit Shytko për të paguar çmimin 2.5 milionë lekë.

Në përfundim, Komisioni vlerëson se subjekti nuk provoi bindshëm burimet e ligjshme të dhuruesit për krijimin e kësaj pasurie.

Si burime krijimi për një apartament tjetër me sipërfaqe 91.88 m2 në Tiranë, të blerë në vitin 2012 për shumën 8 milionë e 450 mijë lekë, Shytko ka deklaruar kursime në shumën 2.9 milionë lekë të mbledhura ndër vite; hua pa interes në shumat 25 mijë USD dhe 5.700 euro marrë kunatit M.Gj; si dhe hua pa interes në shumën 15 mijë euro, marrë nga vëllai i tij, L.Sh.. Shytko ka pasqyruar të njëjtat burime edhe në deklaratën “veting”.

Nga analiza e burimeve të krijimit të deklaruara nga subjekti ka rezultuar balancë negative në shumën 678 mijë lekë për krijimin e kursimeve 2.9 milionë lekë për periudhën 2005-2012.

Por, pas kalimit të barrës së provës, trupa ka vlerësuar të drejtë pretendimin e subjektit në lidhje me përfshirjen në analizën financiare për krusimet, shumat e përfituara nga pensioni i prindërve të tij deri në vitin 2012 kur është blerë apartamenti, pasi ka rezultuar se ata kanë jetuar gjatë gjithë kohës me prokurorin Shytko. Pas konsiderimit të këtyre të ardhurave ka rezultuar bilanc pozitiv për krusimet në shumën 2.9 milionë lekë.

Nga hetimi për burimin e dytë, ka rezultuar se bashkëshortja ka marrë në llogarinë e saj shumat 25 mijë USD dhe 5000 euro nga vëllai i saj. Po ashtu, ka rezultuar se kunati M.Gj. ka pasur të ardhura të ligjshme nga punësime dhe likuiditete në bankë në shuma të konsiderueshme, të mjaftueshme për të dhënë huan në shumat 25 mijë USD dhe 5700 euro në vitin 2012.

Ndërsa vëllai i subjektit ka rezultuar në pamundësi financiare për krijimin me burime të ligjshme të shumës 15 mijë në vitin 2012 dhe për rrjedhojë kjo vlerë nuk është përfshirë në analizën financare.

Edhe pas kalimit të barrës së provës, Shytko nuk ka arritur të vërtetojë të ardhurat e vëllait nga puna në emigracion në Greqi. Megjithëse ka dorëzuar prova të reja, mes tyre edhe një kompesim të dhënë nga shteti grek në shumën totale 16 mijë e 859 euro, nga analiza financiare e famijes së vëllait të subjektit për periudhën 2005-2011 ka rezultuar balancë negative në sumën 21 mijë euro. Për rrjedhojë ka mbetur e pajustifikuar me burime të ligjshme shuma 15 mijë euro.

Në përfundim të vlerësimit gtë kësaj pasurie, KPK konkludon se nuk janë provuar bindshëm të ardhurat që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në Tiranë.

ILDKPKI-ja ka konstatuar mosdeklarim të të ardhurave në shumën 34 mijë USD, të përfituara nga puna e prokurorit Shytko në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA për periudhën 2008 – 2015. Komisioni vlerëson se subjekti ka pasur detyrim ligjor për t’i deklaruar të plota shumat e përfituara prej punësimit të tij, të bashkëshortes dhe vajzës në SHBA nga viti 2008 e në vijim.

Në deklaratën “veting” Shytko ka korrigjuar pasaktësitë për mospasqyrimin e këtyre të ardhurave në vitet e mëparshme. Nisur nga fakti se nuk është gjetur mungesë burimesh, pasaktësitë nuk janë vlerësuar penalizuese. I njëjti konkluzion është arritur edhe për pasaktësitë e konstatuara në lidhje me shpenzimet e shkollimit të fëmijëve dhe shpenzimet e jetesës në SHBA.

Ndërkohë, nuk është gjetur problem për një apartament të përfituar nëpërmjet privatizimit në vitin 1993 në Korçë, si dhe për një shtesë anësore 34.8 m2 të ndërtuar me leje.

Po ashtu, Komisioni konstaton se subjekti ka deklaruar saktë edhe një garazh me sipërfaqe 24. M2 në Korçë të blerë në shumën 400 mijë lekë në vitin 2002, si dhe ka pasur burime për blerjen e një automjeti në 2014-ën, për çmimin 300 mijë lekë.

Në përfundim, Komisioni konkludon se Shytko ka kryer deklarim të pasaktë të pasurive dhe burimeve të ligjshme të tjerë në deklaratën “veting”, si dhe ka qenë në pamundësi financiare për krijimin e tyre. Bazuar në këto rrethana është çmuar se subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm dhe është vendosur shkarkimi i tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *