Prokurorja Elena Pelushi, Ballakbashi, pas seancës në KPK. Foto:BIRN
KPK Lajme Veting

Prokurorja Elena Pelushi drejt konfirmimit në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të mërkurën një seancë të shkurtër dëgjimore ndaj prokurores së Durrësit Elena Pelushi (Bakallbashi). Trupa e përbërë nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Firdes Shuli anëtare dhe Olsi Komici relator, nuk vuri në dukje probleme në asnjë prej kritereve të rivlerësimit.

KPK tha se kishte hetuar pasurinë e prokurores që për momentin shërbente si Inspektore pranë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe nuk kishte gjetur problematika. E njëjta gjë u vu në dukje për pasurinë e nënës së subjektit. Komici tha se ishin kërkuar shpjegime vetëm për një transaksion për një makinë të blerë nga bashkëshorti para martese.

Rezultat të njëjtë kishin hetimet edhe në kriteret e figurës dhe profesionalizmit. 3 denoncime ndaj Pelushit u gjetën pa probleme, ndërsa Komici përsëriti se profesionalisht ajo ishte vlerësuar shumë mirë.

Pas përfundimit të relatimit kryesuesja Sanxhaktari i kërkoi Pelushit një qëndrim të shkurtër, duke vënë në dukje se asaj nuk i ishte kaluar barrë prove.

Pelushi e pranishme në seancë tha shkurt se falënderonte Komisionin “për procedurën e rivlerësimit” dhe  se ishte “dakord me konstatimet e bëra”. Ajo kërkoi konfirmimin në detyrë dhe seanca për njoftimin e vendimit u la të enjten, 15 qershor.

Elena Pelushi ka përfunduar në vitin 2002 Shkollën e Magjistraturës dhe ka punuar për gati dy dekada si prokurore e Prokurorisë së Durrësit. Në shkurt të vitit 2021, Pelushi u komandua pranë zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ku punon si inspektore magjistrate.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *