Shkarkimi i Arjan Qafës, KPK rrëzoi dokumentet që “mbinë” në minutën e fundit

Analiza dhe Opinione
Vendimi i zbardhur i Komisionit për gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Apelit, Arjan Qafa, ngre dyshime për prodhim dokumentesh që do justifikonin 70 mijë euro pasuri në emër të bashkëshortes.

Gjyqtari i Apelit Administrativ, Arjan Qafa përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: Vladimir Karaj.

Pak ditë para se të dilte në seancë dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit, Arjan Qafa, i dërgoi KPK-së disa prova të reja, që shërbenin siç del në vendimin e zbardhur të Komisionit për të justifikuar ligjshmërinë e 80 mijë eurove pasuri në emër të bashkëshortes.

Ndër dokumentet është edhe një marrëveshje e thjeshtë  e 1 marsit 2005 mes bashkëshortes së Qafës dhe vëllait të saj. Dokumenti është me titull: “Aktmarrëveshje bashkëpunimi për hapjen e një biznesi si person fizik”.

Ai do të shërbente për të justifikuar faktin se bashkëshortja e Qafës, para martese i kishte dhënë të vëllait 2.5 milionë lekë hua me interes. Kjo dhe të ardhura shtesë nga puna ishin burim i 70 mijë eurove, ndërsa 10 mijë euro ishin dhuratë nga vëllai.  Dukumenti ishte nënshkruar në prani të një avokati, i cili vendos në të edhe nipt-in e tij si identifikim.

Ky dokument, që nuk ishte zbuluar as në hetimet e mëparshme nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, as gjatë hetimeve për pasurinë e Qafës nga prokuroria në vitin 2014 dhe as në deklarimet veting, dukej tamam si copëza që mungonte në përpjekjet e gjyqtarit për të justifikuar pasurinë. Kishte vetëm një kleçkë. KPK gjeti gjatë hetimit administrativ se avokati që dilte garant në “aktmarrëveshje”, e kishte hapur nipt-in që referohej aty si i vitit 2005 vetëm në vitin 2016.

Komisioni, i cili vendosi shkarkimin e Qafës më 17 shtator 2020, nuk shkon përtej se sa ta cilësojë këtë aktmarrëveshje si të dyshimtë. Vendimi i zbardhur vë në dukje edhe dy raste të ngjashme, përfshi një kopje të kontratës paramartesore dhe një dokument për punësimin e bashkëshortes part-time në një dyqan rrobash në Shkodër në vitet 2000-2004.

Trupa që shqyrtoi çështjen e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Pamela Qirko relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar, nuk i ka pranuar këto dokumente dhe as ligjshmërinë e parave që supozohet se rridhnin prej tyre. Në arsyetim KPK del se e ka gjetur Qafën me një bilanc negativ prej mbi 12 milionë lekë, ndërsa thekson se ai kishte kryer deklarim të rremë dhe të pamjaftueshëm.

Qafa i ka kundërshtuar gjetjet e KPK dhe ka pretenduar se ai nuk kishte lidhje me pasurinë e bashkëshortes para martese.

Arjan Qafa e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar si gjyqtar në Bulqizë dhe në Dibër deri në vitin 2010. Në periudhën 2010-2014, Qafa ka punuar si inspektor për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për t’u emëruar më pas si gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit, ndërsa është zgjedhur edhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Dokumentet që dolën në minutën e fundit

Gjyqtari Arjan Qafa dhe bashkëshortja kishin pretenduar pasjen e një kontrata paramartesore, që i ndante pasuritë e tyre dhe përgjegjësinë mbi to edhe dy herë më parë. Në një rast para ILDKPKI dhe në një rast të dytë gjatë pyetjes së bashkëshortes në prokurori mbi një hetim të hapur për pasurinë e gjyqtarit.

KPK citon bashkëshorten e gjyqtarit të ketë deklaruar para prokurorit në cilësinë e personit në dijeni të fakteve se ata kishin një kontratë para martesore me gojë. “Para martese me shtetasin Arjan Qafa ne kemi diskutuar rreth pasurisë së krijuar para martese dhe kemi rënë dakord që pasuria e fituar para martese do jetë e ndarë nga pasuria e fituar pas martese, marrëveshje verbale kjo e pashkruar”, citohet bashkëshortja në deklarimin para prokurorit.

Në seancë dëgjimore Qafa, i vënë në dijeni për këtë deklaratë, ia hodhi fajin bashkëshortes duke pretenduar se ajo kishte harruar edhe datën e muajin e martesës.

Por KPK arsyeton se ekzistenca e kontratës ishte e dyshimtë. Ajo nuk ishte paraqitur në asnjë prej hetimeve të mëparshme të pasurisë së Qafës dhe kopja e saj nuk ishte depozituar në Gjendje Civile siç kërkohej me ligj.

Ngjashëm KPK arsyeton për një kontratë punësimi po të bashkëshortes të vitit 2000. Sipas Komisionit edhe kjo kontratë punësimi ishte në prapësimet e fundit të Qafës. Ajo synonte të provonte një marrëdhënie pune të bashkëshortes si shitëse part-time në një dyqan rrogash, paga për të cilën ishte pretenduar si 60 mijë lekë neto në muaj dhe prej të cilës ishin kursyer 2.5 milionë lekë.

Komisioni ngre dyshime për kontratën bazuar mbi faktin se bashkëshortja e subjektin në deklarimet për prokurorinë dhe më pas ILDKPKI kishte përmendur se nuk kishte pasur kontratë dhe nuk ishin mbajtur dokumente. Po ashtu si bashkëshortja dhe vetë subjekti kishin dhënë sipas KPK-së vlerë të ndryshme të pagës duke pretenduar në vitin 2014 dhe në deklarimet vjetore në vitin 2008 një pagë neto prej 35 mijë lekësh.

KPK i shkon më gjatë arsyetimit duke krahasuar se paga neto e vetë Qafës si gjyqtarë në të njëjtën kohë rezultonte në tre vite më e ulët se paga neto që bashkëshortja merrte për punën part-time si shitëse. “Pra, duket se paga neto mujore e pretenduar si e përfituar nga marrëdhënia e punësimit e personit të lidhur për vitet 2000 – 2004, nuk i përgjigjet nivelit të pagave për këtë periudhë – duke marrë në konsideratë profilin dhe orët e punës”, shprehet KPK në arsyetim.

Ngjashëm KPK arsyetoi edhe mbi mundësitë e huadhënies për të vëllain e bashkëshortes dhe përfitimet nga kjo huadhënie apo paga e marrë prej tij, duke vënë theksin në deklarimet kontradiktore.

Në fund Komisioni, pasi ka analizuar si të dyshimte dhe kontradiktore provat e Qafës, ka arsyetuar se të ardhurat e bashkëshortes para martese nuk do të konsideroheshin si burim i ligjshëm. KPK arsyetoi edhe kundër pretendimit të gjyqtarit se duke qenë se ishin krijuar para martese këto para nuk duheshin përfshirë në rivlerësim. Komisioni arsyetoi se nuk bëhej fjalë për pasuri të ekzekutuara para martesës, por shuma cash që ishin përdorur në krijimin e pasurive pas martese.

Rrëzimi i këtij pretendimi duket se ka vulosur më pas rivlerësimin e pasurisë për Qafën, edhe pse KPK gjeti mungesë burimi edhe për rreth 30 mijë euro dhurata nga të afërmit. Komisioni tha se kishte hetuar në lidhje me 47 mijë euro dhurata cash nga familjarët dhe se Qafa kishte provuar aftësinë me burime vetëm për dhuratat nga dy motrat.

Probleme të pasurisë dhe figurës

Komisioni gjeti një sërë problemesh në pasurinë e gjyqtarit Qafa. Në vendim rezulton se kishte probleme edhe me një tokë arë të përfituar sipas ligjit 7501 në Fushë -Arrëz, por që sipas KPK ishte në kundërshtim me ligjin e kohës.

Komisioni gjeti se një dokument që e bënte gjyqtarin pronar të një sipërfaqeje prej rreth 1600 metra, nuk kishte formën e tapive të lëshuara në atë kohë. KPK thotë se nuk provoi dot që Qafa të kishte dijeni për këtë pronë. Vetë gjyqtari pretendoi se ishte vënë në dijeni se kishte këtë tokë vetëm në mbledhjen e dokumenteve për veting.

Megjithatë Komisioni arsyetoi se ai në momentin që ishte vënë në dijeni duhej të kishte kërkuar korrigjimin  dhe se “nuk ka ndërmarrë veprimet e duhura ligjore për të rregulluar situatën juridike lidhur me këtë pasuri, të regjistruar në kundërshtim me dispozitat ligjore në emrin e tij”. KPK arsyetoi se këto veprime cënonin figurën e gjyqtarit.

Ngjashëm probleme u gjetën edhe mbi një pronë tjetër të përfituar po përmes ligjit 7501 në emër të babait të subjektit. Sipas Komisionit kjo pasuri nuk ishte deklaruar. Po ashtu e pa deklaruar saktë u gjet një tokë e blerë nga subjekti dhe nëna e tij.

Problemet e tjera përfshi mungesë të burimeve u gjetën kryesisht në lidhje me moskonsiderimin si burim i ligjshëm i 80 mijë eurove që supozohet si ishin fituar nga bashkëshortja para martese.

“Trupi gjykues arrin në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë, të rremë dhe të pamjaftueshëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë’, thuhet në vendimin e KPK.

Komisoni vë në dukje se ndaj Qafës pati po ashtu edhe një raport të përditësuar negativ nga Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar. Sipas Komisionit,  DSIK ngrinte dyshime për përfshirje të gjyqtarit në afera korruptive. “Si rrjedhojë, mbi bazën e të dhënave që grupi i punës së DSIK-së disponon për subjektin e rivlerësimit, z. Arjan Qafa, në cilësinë e gjyqtarit, gjatë fazës së gjykimit të një çështjeje penale, marrëdhënia korruptive e vendosur mes tij dhe palës tjetër që mund të jetë personi nën hetim apo gjykim, është marrëdhënie apo kontakt i papërshtatshëm, në papajtueshmëri të plotë me detyrën e tij funksionale”, citohet DSIK në vendim.

Komisioni vë në dukje se Qafa i kishte kundërshtuar akuzat. Trupa shprehet nga ana e saj se nuk i gjeti ato si shkarkuese në veçanti, por arsyetoni se ato do të konsideroheshin në vlerësim të përgjithshëm për të tre kriteret. “Në këto kushte, konkluzionet e arritura gjatë hetimit të pastërtisë së figurës për z. Arjan Qafa, të ndërthurura me hetimin dhe vlerësimin e rasteve gjatë hetimit të të ardhurave/pasurive dhe vlerësimit profesional, rëndojnë pozitën e tij si gjyqtar”, thuhet në vendim.

Në fund Komisioni arsyeton se veç shkarkimit për “pamjaftueshmëri të deklarimit të pasurisë”, Qafa shkarkohej edhe për “cënim të besimit të publikut te drejtësia”.