Prokurorja Natasha Prifti (Shallapi) do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj familjare nga viti 2007 deri në fund të vitit 2018.Prokurorja Natasha Prifti (Shallapi) e Prokurorisë së Lushnjes do të përballet të mërkurën më 26 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e saj të vetingut përbëhet nga Roland Ilia, Alma Faskaj dhe Etleda Çiftja.
Natasha Prifti (Shallapi) përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe pas një periudhe stazhi në Fier u emërua prokurore në Prokurorinë e Gjirokastrës. Prej vitit 2012, ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Lushnje.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga prokurorja Natasha Prifti nga viti 2007 deri në fund të vitit 2018. [Kliko për skedën në PDF]
Në deklarimin për herë të parë në vitin 2007, prokurorja Natasha Prifti deklaronte kursime në vlerën e 600 mijë lekëve, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria e saj familjare kap vlerën e 4.3 milionë lekëve.
Ajo deklaron familjarisht likujditete bankare prej 1.7 milionë lekësh, gjendje cash prej 1.4 milionë lekësh si dhe automjete me vlerë 1.2 milionë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 14.2 milionë lekë, nga të cilat 69% kanë si burim pagën e Znj. Prifti si prokurore dhe 21% të ardhurat nga aktiviteti privat i bashkëshortit. Mbi 5 për qind e të ardhurave totale kanë si burim fitimin nga shitja e automjeteve.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 12 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” paqartësinë mes aseteve në pronësi familjare dhe atyre të biznesit si dhe shit-blerjet e shpeshta të automjeteve.
Në vitin 2013, bashkëshorti i subjektit deklaron për herë të parë pasurinë si person i lidhur, me burim nga aktiviteti privat ‘shitje mallrash me shumicë dhe pakicë’. Në faqen e aseteve, ndër të tjera deklaron dhe gjendje malli inventar në magazinë me vlerë 10,000,000 lekë, që i përket bilancit të biznesit dhe si rrjedhojë nuk është përfshirë në analizën e mësipërme.
Ndër vite subjekti dhe bashkëshorti i saj deklarojnë shitje dhe blerje të shpeshta të automjeteve, pa përcaktuar nëse i përkasin aktivitetit tregtar apo janë në zotërim personal.
Në vitin 2017 deklarohet hua pa interes me vlerë 11,000 euro marrë për blerjen e një automjeti, e cila është shlyer brenda vitit pas shitjes së një automjeti.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Deklarata e pasurisë së vitit 2018
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al