Prokurori Sokol Malaj (djathtas) dhe avokati i tij, Julian Mërtiri pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.
Analiza

Aksionet në kompaninë e transportit të naftës sollën shkarkimin e Sokol Malajt

Prokurori i Tiranës Sokol Malaj u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi trupa e KPK që hetoi rastin arsyetoi se ai kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia. Në vendimin e zbardhur Komisioni sqaron se Malaj ishte shkarkuar kryesisht për shkak të mbajtjes së një marrëdhënie aktive me kompaninë në zotërim të tij.

Trupa që kryesohej nga Pamela Qirko, me anëtar Roland Ilia dhe relatore Brunilda Bekteshin vuri në dukje po ashtu se Malaj kishte deklaruar në mënyrë të pasaktë marrëdhënien fianciare me vëllain. Prokurori, po ashtu, u gjet me disa probleme sa i përket çështjeve që kishte ndjekur. Sipas Komisionit veç e  veç këto çështje nuk ishin shkarkuese, por të peshuara në tërësinë e çështjes u vlerësua se “në raport dhe me gjetjet e tjera, duhen vlerësuar dhe trajtuar si situata, të cilat ndikojnë në cenimin e besimit të publikut”.

Vlerësimi i pasurisë

Në vendimin e zbardhur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vë në dukje një sërë problemesh të gjetura gjatë hetimit të pasurisë  së prokurorit Malaj. Megjithatë në arsyetimin e vendimit të shkarkimit dy prej problematikave janë veçuar si shkarkuese nga Komisioni.

E para ka të bëjë me një marrëdhënie financiare mes Malajt dhe vëllait të tij. Sipas hetimit Malaj i kishte dhënë vëllai një hua prej 10 milion lekësh dhe pretendonte ndër të tjera se përmes kësaj huaje kishte blerë një apartament.

Por KPK i gjeti deklarimete malajt dhe ato të të vëllait dhe transaksionet për apartamentin kontradiktore dhe të pasakta.

Sipas një deklarate noteriale lëshuar nga vëllai shuma në fjalë ishte kthyer në janar 2016, por në deklarimin e pasurisë në vitin 2016 Malaj kishte deklaruar shlyerjen e huas në tetor 2016. Po ashtu KPK arsyetoi se marrëdhënie e kleringut e pretenduar dilte e paqartak, pasi në kontratë theksohej se pagesa për apartamentin ishte kryer nga prokurori.

Malaj i kundërshtoi këto gjetje duke sjellë si prova marrëdhënien e kleringut mes vëllait dhe kompanisë së ndërtimit dhe përfitimin e një apartamenti nga motra e tij në mënyrë të ngjashme. Por Komisioni e cilësoi ta pa rrëzuar barrën e provës dhe këmbënguli se ndryshe nga e motra, prokurori Malaj kishte paguar vlerën e apartamentit direkt te kompania e ndërtimit.

KPK po ashtu pretendoi se vëllai i subjektit nuk kishte të ardhura në periudhën në fjalë për të kthyer huanë 10 milion lekë. Komisioni arsyetoi se Malaj kishte mungesë burimesh financiare të ligjshme në shumën 10.2 milion lekë, për vitet 2011, 2012 dhe 2016.

Ndrkohë lidhur me pjesëmarrjen e subjektit në veprimtarinë tregtare dhe mbajtjen e aksioneve aktive në kompaninë e tij KPK  arsyetoi se kjo ishte bërë në shkelje të ndalimeve ligjore për magjistratët.

“Trupi gjykues çmon se veprimet e subjektit kanë prodhuar mospërputhje thelbësore me funksionin e prokurorit dhe detyrimet në lidhje me etikën. Sjelljet e subjektit kundrejt detyrimeve ligjore, konsiderohen nga trupi gjykues si fakte të çështjes që janë të mjaftueshme, për të arritur në përfundimin se subjekti i rivlerësimit nuk mund të gëzojë besimin e publikut për të qëndruar në detyrë”, thuhet në arsyetimin e KPK lidhur me këtë pikë.

Malaj e ka kundërshtuar këtë vendim duke i cilësuar veprimet e tij në lidhje me kompaninë si sporadike dhe të kufizuara. Ai pretendon se nuk ka kryer shkelje të ligjit duke zotëruar aksionet. Prokurori citohet në vendim se është mbrojtur duke e cilësuar qëndrimin e KPK si “një interpretim shumë i ngushtë dhe jo harmonik i legjislacionit të zbatueshëm dhe në fuqi”.

Por Komisioni e cilëson marrëdhënien e tij me kompaninë si ekspozuese. “Pra, ekspozimi i subjektit të rivlerësimit në një lloj marrëdhënieje të tillë me shoqërinë tregtare e ka bërë atë një subjekt që mund të ndikohet në ushtrimin e detyrës së tij në mënyrë të pavarur, për shkak të nevojës së tij për garantimin e përfitimeve materiale nga kjo veprimtari”, thuhet në vendimin e arsyetuar.

Mbi profesionalizmin

Prokurorit Malaj nuk iu gjetën probleme të figurës pavarësisht një raporti negativ nga DSIK. Siç del në vendim gjetjet në këtë raport u rrëzuan nga Komisioni.

Por sa i përket profesionalizmit KPK gjeti një sërë shkeljesh kryesisht nga çështje për të cilat prokurorit i ishin bërë denoncime.

KPK arsyeton se në tërësi Malaj “arrin nivelin kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale”, por shkeljet e gjetura pas denoncimit të tre shtetasve kishin “të meta të dukshme”.

Komisioni vë në dukje se në këtë çështje kishte ndër të tjera mungesë hetimesh dhe mosrespektim të vendimmarrjes së gjykatave.

Trupa vë në dukje se subjekti i rivlerësimit ka vepruar në disa raste kundërshtim me nenet 73 dhe 74 të ligjit nr. 96/2016, ka shkelur akte të miratuara nga Prokurori i Përgjithshëm dhe në mënyrë të përsëritur vendimet e tij të mosfillimit apo pushimit të procedimeve janë rrëzuar nga gjykata që ka konstatuar në këto raste mungesë të kryerjes së veprimeve hetimore.

KPK thotë se në disa nga këto çështje “subjekti nuk ka zbatuar detyrat e lëna nga gjykata në hetimin e tyre, arsye për të cilën, pas kërkesës së bërë prej tij për pushimin e çështjes, gjykata ka vendosur kthimin e akteve dhe vazhdimin e hetimeve”.

Megjithatë Komisioni arsyeton se në vetvete këto probleme nuk ishin shkarkuese, por në vlerësimin tërësor KPK i cilësoi ato si argument shtesë në cënimin e besimit të publikut te drejtësia.  “Këto mangësi në vetvete nuk mjaftojnë për ta quajtur subjektin të papërshtatshëm sipas nenit 44, shkronja “c”, porse çmohen të tilla se ato përbëjnë bazë të mjaftueshme edhe për vlerësimin në tërësi të çështjes”, thuhet në vendim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *