Prokurorja Rovena Zoto (Bozo) pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Prokurorja Rovena Zoto jep shpjegime për të ardhurat e bashkëshortit në emigracion

Prokurorja e Tiranës, Rovena Zoto u përball të premten më 17 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime më së shumti lidhur një bilanc negativ të konstatuar për shkak të moskonsiderimit të të ardhurave të bashkëshortit nga emigracioni të krijuara para martesës dhe fillimit të detyrës, si dhe për një çështje penale të hetuar prej saj. Ndërkohë, nuk u evidentuan probleme në kriterin e pastërtisë së figurës.

Procesi i vetingut për këtë subjekt rivlerësimi po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Rovena Zoto përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe e ushtroi funksionin për gati një dekadë në Prokurorinë e Lushnjes. Prej vitit 2022, ajo punon si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Tiranës.

Relatorja Faskaj u shpreh se Komisioni nuk ka gjetur probleme për pjesën takuese që subjekti zotëron në tokën e përfituar nga familja e origjinës nga ligji “Për Tokën”.

Po ashtu, nuk janë ngritur dyshime dhe për një apartament me sipërfaqe 121 m2 në Lushnjë, në përdorim të subjektit dhe bashkëshortit të saj, pasuri e blerë nga prindërit e këtij të fundit në vitin 2014 për çmimin 30 mijë euro. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se prindërit kishin shitur një tjetër apartament, si dhe kishin marrë një hua 20 mijë euro, vlera që janë përdorur për blerjen e banesës në 2014-ën. Faskaj tha se janë vërtetuar të ardhurat e shitura nga apartamenti, si dhe ka rezultuar se huadhënësja, kishte pasur mundësi për krijimin e vlerën 20 mijë euro me burime të ligjshme.

Nga analiza financiare paraprake e KPK ka rezultuar pamundësi për një pjesë të kursimeve në masën 1.3 milionë lekë të krijuar nga subjekti para vitit 2009 me burim pagat në Bashkinë e Fierit dhe bursa në Shkollën e Magjistraturës.

Ndërkohë, Faskaj deklaroi se rezultonte pamundësi financiare për kursimet e deklaruara nga bashkëshorti i prokurores Zoto, me burim të ardhurat e tij në emigracion në Mbretërinë e Bashkuar dhe nga pagat. Sipas KPK, për shkak të mosvërtetimit me dokumentacion ligjor të të ardhurave të deklaruara të krijuara në emigrim në shumën 2 milionë lekë, ato nuk janë konsideruar në analizën financiare dhe për rrjedhojë, në vitin 2014 ka rezultuar një bilanc negativ në shumën 1.5 milionë lekë.

Në vijim, u konstatua se subjekti dhe bashkëshorti kanë pasur burime për çeljen e një depozite 9500 euro në 2016-ën, pasi ka rezultuar se gjendja cash në fund të atij viti ka qenë në masën 3.4 milionë lekë.

Sipas Faskajt, nga analiza financiare e përgjithshme ka mbetur bilanci negativ në vitin 2014, në shumën 1.5 milionë lekë.

Pasi falënderoi Komisionin për hetimin e kryer, prokurorja Zoto paraqiti pretendimet e saj lidhur me analizën financiare. Subjekti kërkoi që analiza financiare e saj dhe e prindërve përpara martesës, të kryhet bashkarisht, duke argumentuar se jetonin dhe kishte ekonomi të përbashkët. Sipas subjektit, prindërit kishin mbuluar shpenzime jetike të saj dhe për rrjedhojë kishte pasur më shumë mundësi kursimi dhe rezulton me bilanc pozitiv edhe para fillimit të detyrës.

Ajo shpjegoi se në vitin 2010 ka lidhur martesën me bashkëshortin dhe në vitin pasardhës ai ka kryer deklarimin në cilësinë e personit të lidhur, ku mes të tjerash ka shënuar edhe të ardhurat nga emigracioni të krijuara deri në vitin 2009, në masën 2 milionë lekë.

Zoto e vendosi theksin tek kursimet cash të deklaruara në vitin 2011 e atyre në vijim gjatë martesës. Ajo evidentoi dy prej burimeve të deklaruara për kursimet e bashkëshortit, shuma 2 milionë lekë nga të ardhurat prej emigracionit dhe 780 mijë lekë nga dalja e tij në reformën policore.

Subjekti solli në vëmendje se kur bashkëshorti ishte kthyer nga emigracioni në vitin 2009, ai kishte blerë me një pjesë të atyre të ardhurave një automjet në shumën 750 mijë lekë.

Prokurorja Zoto deklaroi se bashkëshorti e kishte krijuar shumën 2 milionë lekë në emigracion përpara martesës dhe para fillimit të detyrës nga ana e saj. Sipas saj, analiza e bashkëshortit duhet kryer e ndarë, përpara martesës dhe gjatë matesës. Subjekti pohoi se pasaktësitë në deklarime nuk janë të shoqëruara me pamundësi dhe për rrjedhojë nuk mund të sjellin penalizim.

Zoto sqaroi në seancë se bashkëshorti nuk ishte pajisur dot me leje qëndrimi në vendin e emigrimit dhe ishte kthyer në Shqipëri. Ajo kërkoi që për të ardhurat nga emigracioni të aplikohet parimi i proporcinalitetit dhe objektivitetit, pasi janë siguruar përpara martesës dhe para fillimit të detyrës.

Komisioni nuk evidentoi gjetje me probleme në kriterin e figurës. Për profesionalizmin u trajtua një prej tre çështjeve të denoncuara nga publiku në KPK.

Faskaj sqaroi se prokuorja Zoto kishte kërkuar në gjykatë deklarimin fajtor të një të pandehuri për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, ndërkohë që kishte kërkuar edhe pezullimin e dënimit dhe kurimin e deyrueshëm të tij si përdorues i lëndëve narkotike – kërkesë që ishte rrëzuar nga gjykata e Shkallës së Parë me argumentin se nuk përmbusheshin kushtet.

Relatorja Faskaj tha se dukej se subjekti kishte favorizuar të pandehurin, pasi kishte kërkuar pezullimin kur nuk plotësoheshin kushtet.

Prrokurorja Zoto tha se nga hetimi kishte rezultuar se i pandehuri nuk rezultonte të kishte konsumuar veprën penale në bashkëpunim, pasi edhe nga përgjimet nuk ishin siguruar prova apo indicie për një rrethanë të tillë. Sipas saj, sasia kishte qenë mjaft e vogël dhe i pandehuri ishte përdorues. Subjekti solli në vëmendje se sipas praktikës së atëhershme dhe aktuale, një sasi e tillë konsiderohet për përdorim vetjak. Zoto tha se i ishte referuar edhe jurispudencës së Gjykatës Kushtetuese në kërkimin e saj për pezullimin e dënimit.

Në vijim subjekti sqaroi se vendimi i Shkallës së Parë ishte marrë me shumicë, ku një gjyqtare kishte shprehur qëndrim të njëjtë me atë, ndërkohë që Apeli e kishte rrëzuar duke aplikuar pezullimin e dënimit, ashtu si kishte kërkuar edhe Zoto. “Çmoj se qëndrimi i Gjykatës së Apelit tregon se e kam aplikuar drejtë pezullimin”, pohoi ajo.

Në përfundim prokurorja Rovena Zoto kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 20 nëntor, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *