Gjyqtari Arben Kostandini pas vendimit të KPK.
Analiza KPK

Argumentet e KPK për shkarkimin e gjyqtarit Arben Kostandini

Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, KPK, vendosi më 15 mars 2023 të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Tiranës, Arben Kostandini për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë. Po ashtu, u konkludua se me veprimet dhe mosveprimet e tij në marrdhënien me një apartament që ka filluar ta përdorë pa kundërshpërblim, gjashtë vjetë para se ta blinte, kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Ndërkohë, Kostandini u vlerësua pozitivisht në kriterin e figurës dhe se është “i aftë” profesionalisht.

Arben Kostandini e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Tiranë. Procesi i tij i vetingut u krye nga trupa e kryesuar nga Xhensila Pine, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Firdes Shulin.

Si burime krijimi për një apartament me sipërfaqe 75.2 m2 në dhe shtesë anësore me sipërfaqe 40 m2 në zonën e njohur si “Shallvaret” në Tiranë, subjekti ka deklaruar kontratën e privatizimit të vitit 1993; trashëgimi nga babai me vendim të Gjykatës së Tiranës e vitit 2011; trashëgimi e nënës sipas një akti noteroial të vitit 2015, si dhe kontratë dhurimi po e vitit 2015, nga vëllai R.K.. Kostandini ka deklaruar se shtesa anësore është paguar nga prindërit.

Lidhur me këtë pasuri, KPK i ka kaluar subjektit barrë prove për mosdokumentimin e vitit të ndërtimit të shtesës së pallatit, se nuk ka deklaruar në vitin 2006 e në vijim shtesën anësore dhe vlerën e saj; se nuk ka shënuar në deklaratën “veting” vlerën e investimit të shtesës anësore; si dhe se së bashku me prindërit e tij nuk kanë pasur mundësi financiare për ndërtimin e kësaj shtese në vitin 2006, pasi rezultojnë me balancë negative në shumën 931 mijë lekë.

Kostandini ka deklaruar se ndërtimi i shtesës është bërë në vitet 1996-1997, duke e mbështetur këtë pretendim në disa ortofoto; pamje nga google; si dhe aktekspertim të vitit 2023 nga gjeodet dhe vlerësues, sipas të cilit shtetsa anësore e pallatit është ndërtuar para ’99-ës.

Lidhur me mosdeklarimin, subjekti ka shpjeguar se legalizimi i shtesës është kryer në 2021-in dhe se në vitet e mëparshme, ky ndërtim nuk përbënte detyrim për deklarim. Për mosdeklarimin e vlerës, ka shpjeguar se me procedurat e ndërtimit janë marrë prindërit e për rrjedhojë nuk dispononte dokumente apo fatura për pagesat e kryer, si dhe as për vlerën totale të investimit.

Komisioni vlerëson se subjekti arriti të provojë se shtesa është ndërtuar në vitet 1996 – 1997. Ndërkohë, çmohet se kjo pasuri duhej të ishte deklaruar prej vitit 2003. Pas rishikimit të analizës finaciare, bilanci negativ është rrudhur, por sërish ka mbetur në masën 184 mijë lekë.

Problemet më të shumta që ka konkluduar Komisioni për Kostandinin, kanë të bëjnë me një tjetër apartament në zonën e “Shallvareve” me sipërfaqe 126 m2, të blerë në vitin 2016 kundrejt çmimit 9.5 milionë lekë. Si burime të kësaj pasurie, subjekti ka deklaruar kursime në vlerën 7 milionë lekë dhe kredi në shumën 2.5 milionë lekë.

Në pyetësorin standard, Kostandini ka deklaruar se e ka pasur në përdorim pa pagesë këtë apartament, nga data 1 dhjetor 2010 deri më 23 shtator 2016. Po ashtu, nga hetimi është konfirmuar se konsumi shërbimeve në këtë banesë ka filluar në shtator të 2010-ës. Por, KPK ka gjetur se subjekti nuk e ka deklaruar gjatë këtyre viteve si pasuri në përdorim apo si adresë banimi.

Në vijim, Komisioni vëren se sipas referencave të EKB-së për vitin 2016, çmimi i blerjes së apartamentit duhej të ishte në total 17.5 milionë lekë dhe jo 9.5 milionë lekë.

KPK ka konstatuar se subjekti nuk ka shënuar në deklarimet vjetore dhe në atë “veting” trajtimin preferencial nga shoqëria ndërtuese lidhur me dhënien në përdorimin e këtij apartamenti pa pagesë për një kohë të gjatë, si dhe as për çmimin e blerjes gati dyfish më të ulët se ai i referencës.

Kostandini ka shpjeguar se me drejtuesit e shoqërisë njihen që fëmijë dhe kanë miqësi shoqërore e familjare, përfshirë edhe ortakun tjetër.

Ai ka thënë se bazuar në këtë miqësi, ka porositur verbalisht apartamentin që e ka marrë në përdorim në dhjetor të 2010-ës, derisa të plotësonin paratë dhe të lidhnin kontratën e shitjes në vitin 2016.

Po ashtu, ka shpjeguar se nuk ka çmuar ta deklaronte përdorimin e apartamentit, meqenëse marrëdhënia ishte verbale dhe do ta deklaronte pasi të hartohej kontrata e shitjes.

Për të mbështetur pretendimet e tij, Kostandini ka depozituar në Komision një deklaratë noteriale të vitit 2020, ku përfaqësuesja ligjore e shoqërisë ndërtuese deklaron se për shkak të marrëdhënieve shoqërore shumë të mira kanë lidhur marrëveshjen verbale për përdorimin e apartamentit pa pagesë deri në shitjen e tij, pasi subjekti nuk e kishte vlerën e plotë në dhjetor të 2010-ës, kur dhe e mori në përdorim.

Gjyqtari Kostandini ka këmbëngulur se nuk ka pasur trajtim preferencial në lidhje me çmimin e shitjes së apartamentit, përveçse lënies në përdorim deri në pagimin e vlerës. Ai ka theksuar se edhe KPK nuk ka konstatuar situatë konflikti interesi mes tij dhe palës shitëse. Për të provuar pretendimin e tij për mungesën e trajtimit preferencial, ka depozituar disa kontrata shitjeje apartamenti të ngjashme, në të njëjtin pallat.

Por, KPK konstaton se çmimi për metër katror i këtyre apartamenteve varion nga 97 mijë lekë deri në 11 mijë lekë, ndërsa çmimi i banesës që ka blerë subjekti është rreth 75 mijë lekë.

“Pra, çmimi i apartamentit që ka blerë subjekti është jo vetëm më i ulët se çmimi referencë i EKB-së, por edhe më i lirë se çmimi i kontratave të ngjashme, fakt ky që e vendos subjektin në kushtet e një trajtimi preferencial nga shoqëria “***” sh.p.k., pavarësisht nga marrëdhënia shoqërore që ata pretendojnë”, vlerëson KPK.

Komisioni nuk e vlerëson bindës pretendimin e subjektit se ai nuk gjendet përpara trajtimit preferencial. Duke iu referuar jurispudencës së Kolegjit, KPK vlerëson se trajtimi preferencial jo domosdoshmërisht lidhet me konfliktin e interesit dhe mund të ekzistojë edhe pa provuar gjendjen e këtij konflikti.

Bazuar në pretendimet e subjektit në prapësime se, për çmimin është dakordësuar me miqtë e tij në vitin 2005, ndërsa në pyetësorin nr.3 ka deklaruar se është dakordësuar në 2006-ën, si dhe në faktin se administraorja e shoqërisë nuk ka deklaruar asgjë në lidhje me dakordësinë e çmimit, Komisioni vlerëson se duken si përpjekje për deklaruar një vit sa më të hershëm të dakordësimit, me qëllim justifikimin e çmimit të ulët në krahasim me vitet më pas.

Nisur nga sqarimi i Kostandinit në seancën dëgjimore, se jo vetëm ka filluar të banojë në këtë apartament në 2010-ën, por dhe e ka përshtatur dhe arreduar sipas dëshirës së tij, Komisioni vlerëson se duket se subjekti kishte sigurinë që ky apartament tashmë ishte i tij dhe “po sillej në një aspekt si pronar i tij”.

“Mosdeklarimi i kësaj marrëdhënieje dhe përpjekja për ta justifikuar me shkakun se nuk kishte një dokument të shkruar, mund të konsiderohet si përpjekje e subjektit për të shmangur përgjegjësinë për mosdeklarimin e kësaj marrëdhënieje ndër vite””, vlerëson KPK.

Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi financiare në shumën rreth 3.4 milionë lekë për kursimin e shumës 7 milionë lekë që ka shërbyer për pagesën e një pjese të çmimit të apartamentit. Për burimin e dytë, kredinë 2.5 milionë lekë nuk janë gjetur probleme.

Në përfundim të hetimit të kësaj pasurie, Komisioni konkludon se qëndron dyshimi i arsyeshëm se subjekti ka ndërmarrë hapa për të fshehur ndër vite marrëdhënien me këtë apartament, për shkak të mungesës së burimeve të mjaftueshme financiare dhe se e ka formalizuar atë vetëm në vitin 2016, për efekt të procesit të rivlerësimit. “Veprime këto që në tërësinë e tyre të krijojnë bindjen se subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut tek drejtësia”, citohet në vendim.

Nga analiza financiare përfundimtare për 2003 – 2016, gjyqtari Kostandini është gjetur me bilanc negativ në vlerën totale 7 milionë lekë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *