Rivlerësimi i Elona Alvorës në KPK | Foto LSA
KPK Lajme Veting

Elona Alvora jep shpjegime për përdorimin e një apartamenti dhe profesionalizmin

Relatimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për kriterin e pasurisë dhe të pastërtisë së figurës për prokuroren e Vlorës, Elona Alvora zgjati pak minuta gjatë seancës dëgjimore të martën më 31 maj, ndërsa u evidentuan dhjetëra gjetje në kriterin profesional për të cilat subjekti u pyet dhe dha shpjegime për rreth tre orë.

Procesi i rivlerësimit për prokuroren Elona Alvora po kryhet nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Në seancë u sqarua prej trupës gjykuese se si relatore e çështjes së prokurores Alvora kishte qenë më parë një tjetër komisionere e cila ishte larguar jashtë shtetit për kurim dhe për këtë arsye ishte shortuar komisionerja Seula Zhegu. Nga subjekti nuk u ngritën pretendime për këtë zëvendësim, por ajo e falënderoi trupën për hetimin e shpejtë të kryer në rastin e saj. Kryesuesja Pamela Qirko sqaroi se rivlerësimi i Alvorës ishte kryer me përparësi për shkak të kandidimeve të saj për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Elona Alvora përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe pas një periudhe stazhi në Prokurorinë e Tiranës, u emërua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ku vazhdon ta kryejë detyrën.

Mosdeklarimi apartamentit në përdorim

Nga hetimi për pasurinë ka rezultuar se prokurorja Alvora është me balancë pozitive në gjithë vitet e deklarimit. Ndërkohë, u evidentua mosdeklarimi për periudhën 2010-2016 i përdorimit të një apartamenti në qytetin e Vlorës. Në deklaratën veting, subjekti ka deklaruar një apartament në përdorim në Vlorë, me kontratë verbale dhe qira mujore 15 mijë lekë.

Gjatë hetimit administrativ Alvora ka deklaruar se kontrata ka qenë verbale pasi është dakortësuar me vjehrrën e pronarit të apartamentit, që sipas saj jeton jashtë shtetit. Relatorja Zhegu sqaroi se subjekti ka pretenduar se nuk ka pasur detyrim për deklarimin e pagesës së qirasë, pasi vlera vjetore ishte në shumën 180 mijë lekë, më e vogël nga sa ishte detyrimi për t’u deklaruar.

Sipas Komisionit, pronari i apartamentit rezulton se e ka blerë këtë pasuri në 2009-ën dhe se ka mbërritur në Shqipëri në vitin 2012 dhe nuk është larguar më.

Megjithëse nga hetimi nuk është gjetur konflikt interesi mes pronarit të shtëpisë dhe subjektit, ka rezultuar se kjo e fundit ka dhënë deklarime kontradiktore lidhur me vendbanimin e saj. Zhegu vërejti se Alvora ka deklaruar në vitin 2016 pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI se gjatë ditëve që ka qëndruar në Vlorë ka fjetur në hotel dhe se pjesën tjetër e ka kryer vajtje-ardhje në Tiranë. Po ashtu, sipas Komisionit, subjekti ka deklaruar se nuk ka përdorur ndonjë apartament në qytetin e Vlorës.

Vëzhguesi ndërkombëtar, Francesco Ciardi e cilësoi si situatë të çuditshme kontradiktën e deklarimeve të subjektit në ILDKPKI me atë në deklaratën “veting”. “Në deklaratën ‘veting’ dhe sot deklaruat diçka komplet ndryshe. Përse?”, pyeti Ciardi.

Alvora deklaroi se e kishte konsiderur si “diçka të tillë”, se kishte marrë çelësat dhe se nuk kishte bërë asnjë investim. “Thjesht e kam përdorur. Mbase është e gabuar referenca ime e hotelit, por në thelb është e njëjta gjë”, deklaroi Alvora. Ajo sqaroi se nuk e kishte verifikuar as se cili ishte pronari, pasi kishte pasur kontakt vetëm me vjehrrën e tij.

Alvora u pyet dhe nga kryesuesja Qirko lidhur me përdorimin e këtij apartamenti, nëse mendonte se ishte treguar neglizhente duke mosverifikuar se cili ishte pronari i banesës që po përdorte dhe a kishte qenë ose jo i hetuar penalisht.

“Në rastin konkret sigurisht që kam pyetur oficerët e policisë gjyqësore dhe më kanë thënë se ishte pa probleme”, deklaroi subjekti.

Alvora u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Hetimi për profesionalizmin

Relatorja Zhegu renditi një sërë gjetjesh për aspektin profesional, të evidentuara në disa çështje të hetuara prej prokurores Elona Alvora, si dhe në kallëzimet e kryera ndaj saj, ku nga sa u relatua, një prej tyre vijon të jetë në hetim në Prokurorinë e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, por pa një emër të regjistruar.

Komisioni evidentoi se Prokuroria e Përgjithshme ka informuar se ndaj subjektit janë kryer 10 kallëzime të tjera për shpërdorim detyre dhe fillim të padrejtë të ndjekjes penale, për të cilat është vendosur mosfillimi i hetimit. Këto kallëzime janë kryer kryesisht nga persona që kanë kryer kallëzime që janë verifikuar dhe hetuar prej prokurores Alvora. Ndaj saj janë kryer 5 ankesa pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe janë depozituar edhe 8 denoncime nga publiku.

Zhegu konstatoi se subjekti ka mbajtur në hetim nga 1 korriku i vitit 2011 deri në 2015-ën një çështje të bazuar në një kallëzim për ndërtim pa leje. “Është kohë e gjatë dhe nuk i ka shërbyer ndëshkueshmërisë”, deklaroi.

Kallëzim ndaj subjektit ka kryer dhe një person që ka kryer kallëzim në Prokurorinë e Vlorës për pushtim toke. Sipas Zhegut, Alvora ka vendosur mosfillim të hetimeve me argumentin se vepra penale ishte parashkruar apo amnistuar.

Komsioni vëren se në këtë rast vendimarrja ka qenë në kundërshtim me ligjin, pasi vepra penale e pushtimit të tokës është vijuese dhe nuk mund të afektohet për shkak të parashkrimit.

Alvora deklaroi se ishte e surprizuar nga numri i ankesave, që i konsideroi të pakta. “Prisja më shumë ankesa se kam pasur ngarkesë shumë të madhe”, deklaroi Alvora.

Ajo sqaroi procedurën që ndiqet në regjistrimin e kallëzimeve nga drejtuesi i prokurorisë dhe për ndaren e çështjeve.

Subjekti parashtroi se ajo i referonte çështjet për të qenë të gatshme për gjykimin e themelit. Ajo e kundërshtoi konstatimin për vijimimësinë e veprës penale në pushtimin e tokës duke vërejtur se ka një debat për këtë situatë. “Ne kosniderojmë momentin e parë dhe jo mbajtjen e tokës. Kemi shumë ndërtime në tokat e të tjerëve që për shkak të këtij qëndrimi nuk janë konsideruar”, shpjegoi Alvora.

Zhegu deklaroi se në shqyrtimin e pesë ankesave në ILD janë gjetur probleme në kuadër të procesit të rivlerësimit.

Në një rast ka rezultuar se prokurorja Alvora nuk ka marrë masat për të kryer veprimet hetimore të përcaktuara nga gjykata; në një tjetër çështje për falsifikim dokumentesh të sugjeruara nga gjykata gjatë një procesi civil, ka vendosur pushimin e hetimit. Gjykata e Apelit Vlorë e ka rrëzuar këtë vendimarrje të subjektit dhe e ka rikthyer për hetim që sipas KPK-së, është duke vijuar. “Rezulton se janë zvarritur hetimet”, pohoi Zhegu.

Sipas Komisionit, Alvora ka pushuar dhe një hetim tjetër, megjithëse gjykata ka kërkuar kryerjen e rihetimeve.

Ndaj prokurores Alvora ka kryer denoncim në ILD edhe një gjyqtar, i cili ka ngritur pretendime për sjellje jo etike të subjektit gjatë një seance gjyqësore. Në seancë u shpjegua se denoncuesi pretendon se subjekti është larguar në mënyrë demonstrative, pasi nuk është pranuar kërkesa e saj për heqje dorë të gjyqtarit, me pretendimin se ai kishte qenë gjyqtar parprak për shqyrtimin e çështjes dhe nuk mund të ishte gjyqtar i themelit. Por, kjo kërkesë e Alvorës është rrëzuar nga një gjyqtar tjetër që e ka shqyrtuar.

Kryesuesja Qirko e pyti subjektin nëse ishte etike ikja nga salla në mënyrë demonstrative, por Alvora e mohoi një situatë të tillë. Ajo tha se nuk kishte ikur në mënyrë demonstrative si pretendohej dhe shpjegoi se nuk mund të jetë i njëjti gjyqtar i seancës paraprake dhe në gjykimin në themel të të njëjtës çështje.

Zhegu vërejti se subjekti nuk ka kryer hetime të plota dhe në një çështje tjetër për të cilat është kallëzuar, si dhe në disa dosje penale të konstatuara në 8 denoncimet e depozituara në KPK nga publiku. Sipas relatores, disa prej vendimeve të pushimeve dhe mosfillimit që kanë pasur të bëjnë me denoncime për falsifikime janë rrëzuar nga gjykatat.

“Konstatohen veprime dhe mosveprime individuale të subjektit të rivlerësimit për zvarritje të gjykimit të çështjeve”, pohoi Zhegu. Prokurorja Alvora theksoi se hetimi nuk është individual, por kryhet në grup.

Prokurorja Alvora i kundërshtoi gjetjet për zvarritje dhe rrëzimin e vendimeve nga gjykata duke argumentuar se jo gjithmonë kishin qenë të bazuara. Për vonesat ajo shpjegoi se ishin të detyruar të prisnin të mbërrinin fashikujt e dosjeve, pasi në Gjykatën e Vlorës kishin rezultuar më parë edhe dosje të falsifikuara dhe për këtë arsye duhej të ishin të kujdesshëm në kryerjen e veprimeve hetimore.

Në një rast të denoncuar në medie, janë ngritur dyshime se subjekti mund të ketë favorizuar një person të proceduar për armëmbajtje pa leje. Alvora shpjgoi se ndaj personit nën hetim ishte kryer më parë një atentat në prani të fëmijës së tij dhe se gjatë një kontrolli rutinë pas kësaj ngjarje, i ishte gjetur arma.

Ajo pohoi se një pjesë e veprimeve hetimore, mes tyre dhe ekspertimi i telefonit, ishin kryer në funksion të hetimit për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj këtij personi. Sipas subjektit, oficeri i policisë gjyqësore e kishte njoftuar se nuk kishte mbërritur akti i ekspertimit, ndërkohë që duhej të merrte vendim për dërgimin e çështjes në gjyq brenda afatit.

E pyetur nga Ciardi lidhur me plotësimin e detyrave të lëna nga gjykatat në disa çështje, subjekti deklaroi se ishin kryer gjithë veprimet hetimore të përcaktuara, si dhe ishin tejkaluar me hetime të mëtejshme.

Kryesuesja Qirko konstatoi se nga vlerësimi i dosjeve profesionale rezultonte se subjekti ishte e shkujdesur në lidhje me afatet. “A mendoni se keni zhgënjyer rëndë besimin e publikut tek drejtësia?”, pyeti Qirko.

“Veprimet e mia nuk janë zhgënjyese në drejtim të besimit të publikut, por e kundërta. Nuk është njësoj një prokuror që heton 1000 dosje me një që heton 200 dosje. […]Me punën time besimi i publikut është rritur”, deklaroi ndër të tjera Alvora dhe këkroi konfirmimin.

KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet me 7 qershor, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *