Anetari i KLP, Gentjan Osmani, duke folur gjate nje mbledhje te Keshillit te Larte te Prokurorise, KLP, i cili ka miratuar shtyrjen e afatit per verifikimin e plotesimit te kushteve ligjore nga kandidatet per Prokurore te Pergjithshem./r/n/r/nKLP member Gentjan Osmani, speaks during a meeting of the High Prosecution Council, KLP which has approved the postponement of the deadline for verifying the fulfillment of the legal conditions by the candidates for the General Prosecutor.
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Në Fokus

KPA mbyll shqyrtimin gjyqësor për anëtarin e KLP Gentjan Osmani

Kolegji mbajti të hënën seancën e radhës si pjesë të ankimit të Komisionerit Publik ndaj konfirmit në detyrë të prokurorit Gentjan Osmani.

Prokurori i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Gentjan Osmani, | Foto nga :LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të hënën të marrë në konsideratë kërkesën e prokurorit Gentjan Osmani për kryerjen e analizës financiare bazuar edhe në provat e reja të dorëzuara prej tij në seancën e 11 korrikut dhe të mbyllë shqyrtimin gjyqësor.

Ndërkohë, Komisioneri Publik ndryshoi qëndrim lidhur me një prej kundërshtive të tij për sa i përket kriterit të pasurisë. Bazuar në provat e mbërritura prej Prokurorisë së Përgjithshme, Komisoneri i vlerësoi të pabazuara në fakte edhe denoncimet e kryera ndaj prokurorit Osmani.

Trupa gjykuese  e KPA që po shqyrton ankimin e Komisionerit Publik ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK të 9 gushtit 2018 për konfirmimin në detyrë të prokurorit Gentjan Osmani, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP përbëhet nga Natasha Mulaj kryesuese, Ina Rama relatore dhe Albana Shtylla, Ardian Hajdari e Rezarta Schuetz anëtarë.

Në fillim të seancës, kryesuesja e Kolegjit, Natasha Mulaj i dha fjalën Komisionerit Publik Dariel Sina, i cili paraqiti qëndrimin e tij pas njohjes me provat e reja lidhur me kriterin e pasurisë, të dorëzuara nga prokurori Osmani gjatë seancës së 11 korrikut.

Sina u shpreh se bazuar në provat e reja të siguruara në shtetin Italian mbi të ardhurat e personit të lidhur që i ka dhënë hua 20 mijë euro prokurorit Osmani në vitin 2009 – për blerjen e një apartamenti 1+1, i shtohet edhe vlera e 10.528 euro bruto. Komisioneri vlerësoi se kjo shumë rezulton nga verifikimi i të ardhurave me kontribut nga Arka e Integrimit, krahas të ardhurave që kanë qenë të administruara në dosjen e KPK.

Por pavarësisht identifikimit dhe përllogaritjes së kësaj të ardhure shtesë të huadhënësit, Komisioneri u shpreh se të ardhurat neto të tij janë të mjaftueshme vetëm për të mbuluar shpenzimet e jetesës në shtetin italian. Ndërsa për provën tjetër të dorëzuar nga prokurori Osmani, se huadhënësi nuk ka detyrime ndaj Komunës ku jeton, Sina tha se ky dokument nuk sillte risi mbi shkaqet e ankimit. Në përfundim, Komisonieri mbajti të njëjtin qëndrim duke u shprehur se me provat e reja nuk mund të justifikohej burimi i ligjshëm i huasë.

Ndërkohë, pas provave të reja të paraqitura gjatë seancës paraardhëse, Komisioneri Dariel Sina ndryshoi qëndrim lidhur me burimin e krijimit të shumës 1.5 milionë lekë të dhuruar nga babai i bashkëshortes së prokurorit Osmani. Sipas Komisionerit, pas vlerësimit të pagës neto mesatare të vjehrrit të prokurorit Osmani si edhe të ardhurat e bashkëshortes së këtij të fundit për periudhën 2002-2008 gjatë kohës kur ajo jetonte me prindërit, para martesës, rezulton se mbulohet me burime të ligjshme shuma e dhuruar prej 1.5 milionë lekë.

Më pas, Komisioneri i quajti në kundërshtim me ligjin shpjegimet për diferencat e konstatuara në shpenzimet dhe kursimet e viteve 2005, 2009, 2011, 2012 dhe 2013, për deklarim në mënyrë të pasaktë e të paplotë ndryshimin e pasurive, duke paraqitur vit pas viti vetëm shtesat e pasurive dhe jo pakësimet e tyre.

Sina tha se nuk mbulohen me burime të ligjshme këstet e paguara për shlyerjen e apartamentit deri në mars të vitit 2009 në vlerën – 1.041.085 lekë. Ai shtoi se edhe në prezumim të shpjegimeve mbi pagesën e këstit të apartamentit në fund të dhjetorit të vitit 2009, sërish rezulton se nuk mbulohen me burime të ligjshme pagesat e apartamentit dhe kursimet e krijuara deri në fund të vitit 2009, për një diferencë negative prej – 890,349 lekë.

Sipas Sinës, Osmani nuk mbulon me të ardhura të ligjshme shpenzimet dhe kursimet për vitin 2011, në shumën 1,044,035  lekë dhe për vitin 2013 në shumën 1,145,915 lekë.

Komisioneri ngre si problem për deklarim të pamjaftueshëm edhe mospaqyrimin e blerjes së një autoveture tip “Ëolksëagen Golf” në deklaratën e vitit 2005.

Pas parashtrimeve të Komisionerit Publik lidhur me provat e reja për kriterin e pasurisë, relatorja e çështjes Ina Rama tha se Prokuroria e Përgjithshme kishte kthyer përgjigje të hënën lidhur me denoncimet e kryera në adresë të prokurorit Osmani dhe i vuri në dispozicion të palëve.

Gjatë seancës së 11 korrikut, u bë publike se ndaj Osmanit kishin mbërritur tre denoncime nga pretendohej se: ai kishte udhëtuar jashtë me një avokat dhe pas kësaj klientit i ishin pushuar hetimet; se kishte përdorur makinën e një zyrtari të administratës ndaj të cilin kishte pasur hetim për një çështje dhe se kishte firmosur shpalljen e moskopetencës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda në çështjen me të pandehur Suel Çelën dhe të tjerë.

Pas rifillimit të seancës, Komisioneri tha se prej verifikimit të dokumentacionit të sistemit TIMS, rezultonte se prokurori Osmani nuk kishte udhëtuar së bashku me avokatin në fjalë dhe se pretendimet e denoncuesit nuk përputheshin me faktet.

Gjithashtu, Sina tha se edhe në rastin e denoncimit për shpalljen e moskopetencës nuk përputheshin pretendimet e denoncuesit me faktet. “Për shpalljen e moskopetencës, ka qenë prokurori i çështjes B.D. që ja ka kaluar prokurorisë Elbasan”, tha ndër të tjera Komisioneri Sina.

E njëjta gjë është konstatuar edhe për denoncimin lidhur me përdorimin e mjetit të një zyrtari, pasi nga verifikimi i dokumentacionit është konkluduar se shtetasi në fjalë nuk ka qenë nën hetim. Sina tha se edhe për një denoncim të kryer pranë Komisionerit ka rezultuar të mos kishte fakte.

Prokurori Osmani u shpreh para trupës së KPA se këto denoncime ishin thjesht shpifje.

Pasi kryesuesja Natasha Mulaj u kërkoi palëve nëse kishin ndonjë qëndrim, prokurori Osmani tha se kërkonte kryerjen e analizës financiare nga KPA, për të cilën u shpreh dakord edhe Komisioneri Sina.

Pas kësaj, trupa gjykuese e KPA vendosi pranojë kërkesën për kryerjen e analizës financiare dhe të mbyllë shqyrtimin gjyqësor. Seanca e radhës u shty për më datë 24 korrik, ora 13:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *