Ndërkombëtarët kërkojnë rihapjen e vetingut për kryetarin e Kushtetueses

Komisioneri Publik Lajme
Një njoftim për shtyp nga Institucioni i Komisionerëve Publikë bën të ditur se Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka rekomanduar apelimin e vendimit të Vetingut për konfirmimin në detyrë të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Komisionerët publikë nuk kanë vendosur ende.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, duke hyrë në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare,| Foto nga : LSA

Në një njoftim për shtyp, i pari i këtij lloji, komisionerët publikë bënë të ditur se kanë marrë një rekomandim nga Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të apeluar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në lidhje me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Dedja, 48 vjeç, u konfirmua në detyrë nga KPK, institucioni i njohur si “Vetingu” më 13 qershor, por vendimi i KPK erdhi pas debateve të ashpra nëse të ardhurat e familjarëve të gjyqtarit Dedja në emigracion dhe nga bujqësia duhej të pranoheshin apo jo si të ardhura me burime të justifikuara. Dy nga tre anëtarët e trupës gjykuese në rastin “Dedja” mendonin se argumentet e dhëna prej tij ishin të mjaftueshme ndërsa një mendoi se pasuria ishte e pajustifikuar ligjërisht. Me dy vota pro, Dedja u konfirmua në detyrën që mbante.

Sipas njoftimit për shtyp të institucionit të komisionerëve, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, trupa e ekspertëve të huaj që mbikëqyrin procesin e pastrimit të drejtësisë, kanë dorëzuar rekomandimin e tyre për apelimin e vendimit të konfirmimit në të njëjtën ditë kur u dha vendimi.

“Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar këtë vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit,” thuhet në njoftim.

Institucioni i Komisionerëve Publikë ka për detyrë të apelojë në Kolegjin e Pavarur të Apelimeve vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve kur e sheh të arsyeshme. Kjo është hera e parë që komisionerët bëjnë një njoftim publik për të bërë të ditur faktin se OMN ka dhënë një rekomandim për apelim. Zyrtarisht OMN nuk ka fuqi vendimmarrëse, por ajo ka fuqi mbikëqyrëse dhe këshilluese.

“Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit,” vijon më tej vendimi. Komisionerët kanë afat deri më 28 korrik për të marrë vendim.

Kryetari Bashkim Dedja ishte një nga vetëm dy gjyqtarët kushtetues që i mbijetuan procesit të vetingut. Nga nëntë anëtarët e kësaj gjykate, tre vende ishin vakante nga tërheqjet e gjyqtarëve që u kishte mbaruar mandati para nisjes së procesit të vetingut, njëri dha dorëheqjen gjatë procesit ndërsa katër ngelën.

Dedja u përball në veting me pyetje të vështira mbi origjinën e pasurisë së tij të deklaruar prej 43 milionë lekësh, pasuri e akumuluar mes viteve 2010 dhe 2013. Dedja e pati nisur në deklarimin e parë të pasurisë në vitin 2003 me 2.5 milionë lekë asete. Ai deklaroi se pasuria e tij u krye përmes huave nga persona të lidhur, të cilët i kishin bërë paratë e huasë duke punuar si emigrantë në Greqi apo Itali. Me këto hua dhe me kredi bankare, Dedja pati blerë një apartament me vlerë 180 mijë euro.

Pikëpyetje u ngritën mbi faktin nëse të afërmit e Dedjas i kishin apo jo mjetet financiare për të dhënë hua. Por pikëpyetje të tjera u ngritën në lidhje me një apartament 98 metra katrorë në Golem, i cili është nën pronësinë e të vëllait, por për të cilin, kontrata e energjisë elektrike është në emrin e Kryetarit të Gjykatës. Ky i fundit tha se kontrata në emër të tij kishte të bënte me lehtësinë e pagesës së faturës për shkak se i vëllai në kohën e lidhjes së kontratës banonte në Dibër dhe jo në Durrës.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë Dedjan duke i pranuar shpjegimet e dhëna prej tij, ndërsa vendimi i zbardhur i Komisionit nxorri në pah një debat mes anëtarëve nëse paratë e personave të lidhur me një subjekt rivlerësimi dhe të deklaruara si të fituara në emigrim a duhet të pranohen si të ligjshme pa u shoqëruar me dokumente fiskale apo jo. [Link vendimi]

Pas konfirmimit në detyrë, Dedja deklaroi për mediat se procesi ishte i vështirë por i nevojshëm.

Gjergj Erebara
Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike. Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.