Prokurori Saimir Hysa duke u larguar nga seanca dëgjimore
KPK Lajme Veting

Prokurori Saimir Hysa jep shpjegime për pasurinë dhe profesionalizmin

Prokurori i Tiranës, Saimir Hysa u përball të hëhën më 7 gusht me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegimet për gjetjet dhe barrat e provës në kriterin e pasurisë dhe profeisonalizmit. Ndërkohë, ai mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

Procesi i vetingut për prokurorin Hysa po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Willem Brower.

Prokurori Saimir Hysa ka një karrierë të gjatë në Prokurorinë e Tiranës.

Gjetjet për pasurinë

Prokurori Hysa ka deklaruar pjesë takuese 1/3-ën në një apartament në Goelm të Kavajës, në bashkëpronësi me të vëllanë, pasuri e blerë në vitin 2005 kundrejt vlerën 1.4 milionë lekë. Ai ka deklaruar se ka investuar për këtë pasuri vetëm shumën 200 mijë lekë. Po ashtu, ka shpjeguar se ka qenë vëllai i cili është arkitekt dhe e ushtron aktivitetin e tij në Austri, ai i cili ka ndikuar që të blinin këtë apartament.

Nga analiza financiare ka rezultuar se si prokurori Hysa, ashtu dhe i vëllai kanë pasur mundësi financiare për blerjen e këtij apartamenti. Por, KPK konstaton se shuma 200 mijë lekë e paguar na subjekti, nuk mbulon vlerën e 1/3-ës pjesë takuese.

Subjekti shpjegoi në seancë se nuk ka pasur marrdhënie tregtare mes tij e vëllait në këtë transaksion. Nga sa deklaroi Hysa, i vëllai kishte kryer punë për kompaninë ndërtuese që ishte vlerësuar rreth 1.2 milionë lekë dhe ishte shkëmbyer me apartamentin. Për pjesën e mbetur të çmimit, subjekti tha se e kishte paguar ai duke u bërë bashkëpronar me 1/3-ën pjesë takuese. Prokurori Hysa theksoi se kishte deklaruar gjithmonë vlerën reale të paguar për këtë pasuri.

Në vitin 2018, rezulton që prokurori Hysa t’i ketë dhuruar vëllait pjesën e tij takuese. Nga hetimi ka rezultuar se kontratat për shërbimet utilitare nuk kanë qenë në emër të prokurorit Hysa.

Subjekti shpjegoi se kishte diskutuar me të vëllanë që ta shisnin apartamentin, por ai i kishte thënë se donte që ta mbante. Ndërkohë, Hysa i kishte marrë një hua në shumën 15 mijë euro dhe kishte diskutuar me të vëllanë që pjesën e tij takuese ta këmbenin me një pjesë të huasë dhe t’i përcaktonte sa sa mbetej detyrimi shtesë.

I pyetur nga Komisioni lidhur me ndryshimin e vlerës së pjesës së tij takuese me atë të huasë, prokurori Hysa deklaroi se vëllai i kishte thënë se ishte e mjaftueshme dhe se nuk donte vlerë monetare shtesë. Ai sqaroi se vëllai është një arkitekt i suksesshëm në qytetin ku jeton në Austri, ku ka edhe dy studio projektimi. Edhe nga relatimet e Komisionit u konstatua se vëllai i subjektit kishte pasur të ardhura të konsiderueshme në vite të krijuara nga veprimtaria i tij.

KPK ka hetuar për trajtim të mundshëm preferencial në blerjen e kësaj pasurie, pasi sipas çmimeve të referencës së Entit Kombëtar të Banesave duhej të vlente rreth 1.7 milionë lekë. Bekteshi deklaroi se pas verifikimit të kontratave të tjera të shit-blerjes të apartamenteve në atë objekt, të dorëzura nga subjekti, nuk janë ngritur dyshime për trajtim preferencial.

Për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 71.2 në Tiranë në vitin 2011 kundrejt çmimit 60 mijë euro, subjekti ka deklaruar si burime një depozitë 400 mijë lekë dhe 17 mijë euro kursime të bashkëshores që kanë shërbyer për këstin e parë; 25 mijë euro kredi dhe një hua të marrë vëllait në masën 15 mijë euro.

Nga analiza financiare ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshortja kanë pasur mundësi për krijimin e depozitës 400 mijë lekë. Ndërkohë, nga verifikimi i kursimeve të bashkëshortes në masën 17 mijë euro, ka rezultuar se ajo ka çelur depozitë në vitin 2006 në shumën 4000 euro. Si burim për çeljen e kësaj depozite, ka deklaruar të ardhurat nga punësimi i bashkëshortes gjatë viteve 1999-2006. Por, Bekteshi konstatoi se nga instituciuonet shtetërore është konfirmuar pagesa e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën 2004-2006, prej nga ka rezultuar një balancë negative në shumën 109 mijë lekë për depozitimin e vlerës 4000 euro.

Sipas Komisionit, nga analiza e të dy burimeve financiare që kanë shërbyer për këstin e parë ka rezultuar pamundësi totale në vlerën 135 mijë lekë.

Nga verifikimt e kryera për mundësinë e vëllait për dhënien e shumës 15 mijë euro, ka rezultuar se vetëm me të ardhurat e disa uajve të vitit 2011 ai kishte krijuar të burime financiare të mjaftueshme për mbulimin e kësaj vlere. Bekteshi pohoi se janë kyer hetime shtesë për investimet e kryera nga vëllai në atë periudhë, prej nga ka rezultuar se ai ka pasur të ardhura të konsiderueshme.

Shuma e marrë kredi ka rezultuar se i është transferuar shoqërisë ndërtuese ditën që është disbursuar. Megjithatë, KPK vëren se në dokumentacion rezulton se gjithë çmimi ka qenë i likudjuar në momentin e nënshkrimit të kontratës së shitjes.

Bazuar në këtë të dhënë, Hysës i është kaluar barrë prove lidhur me faktin se çmimi i apartamentit është shlyer përpara disbursimit të kredisë dhe se duket se vlera e paguar për apartamentin është 85 mijë euro.

Ndërkohë, kredia rezulton të jetë shlyer para kohë. Sipas Bekteshit, subjekti ka shpjeguar se ka marrë një hua pa interes nga një miku i tij i hershëm me qëllim shlyerjen e kredisë. Nga hetimi është konstatuar se huadhënësi ka pasur burime të ligjshme. Bekteshi sqaroi se dhe në këtë rast është hetuar për investimet e tjera të kryera nga huadhënësi, prej nga ka rezultuar se ka pasur të ardhura të mjaftueshme, edhe nëse përllogariteshin ato të vitit kur është dhënë shuma 25 mijë euro.

KPK konstaton se subjekti ka deklaruar rregullisht shlyerjen e huasë dhe detyrimin e mbetur deri në vitin 2016, kur e ka likujduar tërësisht.

Prokurori Hysa theksoi se ishte e dukshme se çmimi i apartamentit 60 mijë euro nuk është preferencial, edhe nëse nuk përfshihet shuma e marrë kredi. Ai solli në vëmendje se kishte dorëzuar në Komision kontrata të tjera të shit-blerjes së apartamenteve në atë objekt, prej nga rezultonte se janë në përputhje me vlerën që ka paguar për këtë pasuri.

Subekti pohoi se kishte vendosur në dispozicion manual të kredidhënies së bankës për vitin 2011, ku përcaktohej se duhej që paraprakisht të nënshkruhej kontrata e shitjes së pasurisë që do të vendosej si kolateral.

E vemtja zgjidhje që gjetëm ishte që në mirëbesim, shitësi të nënshkruante kontatën. Pasi u nënshkrua, u regjistrua apartamenti dhe u vendos si kolateral në bankë për kredinë”, pohoi Hysa dhe nënvizoi faktin se vlera e kredisë kishte kaluar për llogari të shoqërisë ndërtese që ditën kur ishte disbursuar.

Ai solli në vëmendje jurispudencën e institucioneve të vetingut, si dhe faktin se kishte dorëzuar kontrata shitje të dy kolegëve të konfirmuar, që kishin blerë apartamentin për çmim më të ulët nga asa ishte përcaktuar në kontratën e shitblerjes për banesën e tij.

“Është e palogjikshme që të paguaja një çmim më të lartë”, deklaroi Hysa dhe këmbënguli se e kishte përmbysur këtë barrë prove.

Në vijim ai u ndal në kursimet e bashkëshotes që kanë shërbyer për çeljen e depozitës në vitin 2006, për të cilën KPK ka konstauar pamundësi në shumën 109 mijë lekë. Ai tha se kishte dorëzuar dokumentacion zyrtar e të kohës të siguluar nga drejtuesit e institucioneve që vërtetonte se bashkëshortja kishte punuar edhe para vitit 2004.

Po ashtu, shtoi se kishte dorëzuar dokumentacion që vërtetonte se në vitin 2011 kishte udhëtuar jashtë për arsye pune. Sipas tij, konsiderimi këtij fakti duke ulur shpenzimet e udhëtimit do të eleminonte bilancin negativ për këstin e parë.

Bekteshi konstatoi se prokurori Hysa ka rezultuar me pamundësi në shumën 700 mijë lekë për blerjen e një automjeti në vitin 2016. Si burime krijimi të kësaj pasurie të luajtshme, subjekti ka deklaruar të arhdurat nga shitja e një makine tjetër dhe të ardhurat nga puna. Por, nga hetimi ka rzultuar se makina e mëparshme është shitur rreth tre muaj më vonë.

Prokurori Hysa shpjegoi se makinën e kishte blerë kur kishte qenë në Austri për arsye shëndetësore. Ai tha se kishin konstatuar se gjendja e mjetit ishte e mirë duke u krahasuar me çmimin e shitjes që ofrohej. Sipas subjektit, ai dhe bashkëshortja nuk kishin pasur plan për të blerë makinë dhe për këtë arsye nuk kishin pasur vlerë monetare me vete, por se kishte qënë i vëllai i cili u kishte sygjeruar ta blinin nëse u pëlqente dhe kishte bërë vetë pagesën.

Ai kërkoi që kjo shumë të mos konsiderohet si hua, pasi gjithçka kishte ndodhur rastësisht dhe brenda një afati të shkurtër. Hysa deklaroi se kur vëllai kishte ardhur në Shqipëri pak kohë më vonë, i kishte kthyer vlerën që ai kishte paguar për makinë, nga të ardhurat e përfituara nga shitja e mjetit të mëparshëm dhe kursimet.

KPK ka konstatuar balancë negative në shumën 67 mijë lekë dhe në blerjen e një mjeti tjetër. Sipas Bekteshit, bilanci negativ ka ardhur se subjekti nuk ka deklaruar pakësimin e gjendjes cash dhe për rrjedhojë nuk është konsideruar ky burim në analizën financiare paraprake.

Prokurori Hysa pranoi mosdeklarimin e pakësimit të gjendjes cash, por ai solli në vëmendje të Komisionit një procesverbal të mbajtur në ILDKPKI pas blerjes së mjetit, ku kishte deklaruar se nuk dispononte gjentje cash. Sipas tij, ky procesverbal tregon se e kishte shpenzuar më parë gjendjen cash.

Komisioni nuk ka gjetur probleme në pjesët takuese të subjektit dhe bashkëshortes së tij në dy apartamente të përfituara me privatizim nga familjet e tyre të origjinës.

Profesionalizmi

Prokurori Hysa dha shpjgime për pretendimet e ngritura në disa prej 16 denoncimeve nga publiku të dorëzuara në Komision ndaj tij, për të cilët janë gjetur indicie.

Në një denoncim janë ngritur pretendime se subjekti ka vendosur mosfillimin e hetimit për shkaktarët e infektimit të një të porsalinduri. Prokurori Hysa deklaroi se kallëzimi ishte i paqartë dhe se nuk paraqitej fakti për të cilin kërkohej hetimi.

Ai deklaroi se nuk kishte pasur ndonjë qëllim për të mos e filluar, megjithëse pranoi se ndoshta do të kishte qenë e nevojshme ta thërriste e pyeste kallëzuesin. Hysa u shpreh se në vitin 2022 kur ishte kryer kallëzimi kishin pasur ngarkesë shumë të lartë dhe nisur nga fakti se nuk pasqyrohej fakti, kishte vendosur mosfillim.

Ai e cilësoi vendimin e gjykatës për prishjen e vendimit të tij të papabazuar, duke argumentuar se kallëzuesi në ankim kishte paraqitur arsyetim të detajuar, që nuk kishin qenë pjesë e kallëzimit fillestar. I pyetur nga vëzhguesi i ONM-së, se përse e kishte ankimuar vendimin e gjykatës që kishte urdhëruar hetim, prokurori Hysa tha se nuk ishte dakort, pasi gjykata duhej të kishte gjykuar mbi të dhënat ku ishte bazuar dhe ai për vendimarrjen e mosfillimit dhe jo në argumentet e dorëzuara më vonë nga kallëzuesi.

Në vijim, subjekti i cilësoi të pabazuara pretendimet e një denoncuesi tjetër për shtyrje të tetë seancave. Ai deklaroi se ishin zhvilluar gjithsej 6 seanca, tre nga të cilat ishin shtyrë me kërkesë të denoncuesit dhe njëra pas kërkës për përjashtim të gjyqtarit.

Lidhur me moszbatimin e një detyre të lënë nga gjykata për pyetjen e një personi, që ka rezultuar nga verifikimi një denoncimi tjetër, Hysa shpjegoi se kishte vërtetuar se ai individ gjendej jashtë shtetit dhe se kjo kishte qenë arsyeja përse nuk i ishte marrë deklarim.

Një tjetër denoncim ka pasur të bëjë me vendimin e pushimit të hetimit ndaj shtetasit K.I., lidhur me veprën penale të falsifikimit. Bekteshi sqaroi se pushimi ishte vendosur me argumentin e parashkrimit të veprës penale, por gjykata e kishte rrëzuar duke çmuar se procedimi duhej të ishte regjistruar për tjetër vepër penale. Relatorja tha se çështja vijon të jetë në shqyrtim.

Prokurori Hysa deklaroi se nuk e dinte se përse kjo çështje e hetuar prej tij referohej si CEZ-DIA. Sipas subjektit, procedimi që kishte hetuar nuk kishte të bënte me çështjen tjetër dhe prandaj dhe ishte shkëptuar e ndarë prej prokurorëve të mëparshëm. Nga sa u relatua dhe deklarua në seancë, u kuptua se bëhej fjalë për pushimin e një procedimi për falsifikim të regjistruar ndaj Kastriot Ismailaj, biznesmeni i akuzuar se qëndronte në mes të skandalit CEZ-DIA.

Hysa shtoi se në relatim nuk u tha se vendimi i shkallës së parë ishte shfuqizuar nga Apeli bazuar në ankimin e tij.

Në përfundim të seancës, prokurori Saimir Hysa kërkoi që bazuar dhe në kohën e gjatë që ai ushtron detyrën e prokurorit, të zbatohet parimi i proporcionalitetit. Ai kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 10 gusht, në orën 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *