Seanca dëgjimore e gjyqtarit Gjovalin Përnoca në KPK | Foto nga : Edmond Hoxhaj/BIRN
Artikull kryesor Lajme KPK Në Fokus

Shtyhet seanca dëgjimore në KPK për gjyqtarin Gjovalin Përnoca

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shtyu të martën seancën dëgjimore për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Gjovalin Përnoca.

Gjovalin Përnoca, gjyqtar, KPK
Seanca dëgjimore e gjyqtarit Gjovalin Përnoca në KPK | Foto nga : Edmond Hoxhaj/BIRN

Përnoca kërkoi më shumë kohë për të siguruar edhe 7 prova për të cilat deklaroi se i konsideronte vendimtare. Ai tha se ka qenë e pamundur ti sigurojë gjithë provat në funksion të gjetjeve të Komisionit, pasi duhet të kërkojë dokumente për një periudhë mjaft të gjatë kohore dhe se ka qenë tepër i angazhuar për shkak të funksionit si gjyqtar.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, pranoi kërkesën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Gjovalin Përnoca, për të shtyrë seancën dëgjimore që ishte caktuar të zhvillohej, të martën, më datë 30 korrik 2019.

Pasi kryesuesja e trupës gjykuese të KPK-së, Xhensila Pine, bëri me dije procedurat e zhvillimit të seancës dëgjimore, përfaqësuesi ligjor i gjyqtarit Gjovalin Përnoca, avokati Sokol Hazizaj kërkoi të parashtronte një kërkesë proceduriale për shtyrjen në kohë të seancës.

Vetë gjyqtari Përnoca falënderoi Komisionin për kohën që i kishin dhënë hetimit administrativ, por ndërkohë kërkoi më shumë kohë për të siguruar prova të reja. “Ju falënderoj që më ndihmuat të siguroj 18 prova, por kërkova të gjej edhe 7 prova të tjera. Kërkoj ti marr këto 7 prova pasi mendoj se janë vendimtare. Do ndihesha mirë dhe do isha i qartë se procesi është objektiv dhe i drejtë”, pohoi ndër të tjera gjyqtari Përnoca. Ai shpjegoi më pas se ka qenë e pamundur që t’i siguronte gjithë dokumentet e kërkuara, pasi ato shtriheshin në një kohë të gjatë dhe se ndërkohë kishte qenë i angazhuar së tepërmi në aktivitetin e tij si gjyqtar.

Pasi trupa gjykuese e KPK u tërhoq për disa minuta, vendosi të pranojë kërkesën e gjyqtarit Gjovalin Përnoca dhe ti japë kohë deri më datë 23 gusht që të paraqesë pranë Komisionit provat dhe dokumentet e pretenduara prej tij. Kryesuesja Xhensila Pine tha se pasi Komisioni të përfundonte rivlerësimin për gjyqtarin Përnoca, do të shpallte edhe datën kur do të zhvillohet seanca tjetër dëgjimore.

Trupa gjyqësore që po kryen hetimin administrativ për Përnocën përbëhet nga Xhensila Pine kryesuese, Olsi Komici relator dhe Suela Zhegu anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar është Theo Jacobs.

Gjovalin Përnoca ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, ku ka shërbyer fillimisht si gjyqtar në Mirditë dhe Shkodër dhe për 4 vjet si inspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në vitin 2003, Përnoca është zgjedhur gjyqtar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, detyrë të cilën e ka ushtruar tashmë prej 15 vitesh.

Përnoca ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe është dekretuar nga Presidenti i Republikës për Gjykatën e Lartë, pa mundur që të zgjidhet më pas në Parlament.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *