Besnik Shehu (në qendër) pas vendimit të KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK

KPK: Besnik Shehu kreu deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për pasurinë

Gjyqtari i Korçës, Besnik Shehu u shkarkua nga detyra më 6 prill 2023 për deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për pasurinë, si dhe rezultoi me bilanc negativ në vlerë të lartë. Trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Genta Tafa Bungo, e përmbylli hetimin administrativ vetëm në kriterin e pasurisë, duke konkluduar se hetimi i dy kritereve të tjerë nuk do të ndryshonte zgjidhjen e çështjes.

Besnik Shehu e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Në vendimin e arsyetuar të Komisionit konstatohet konfuzion në deklarimet e subjektit lidhur me krijimin e një apartamenti në Durrës, të porositur në vitin 2003. Sipas KPK, pretendimet e Shehut nuk gjejnë pasqyrim në deklarimet periodike vjetore dhe se deklarimet e tij në deklaratën “veting” duken si përpjekje për të justifikuar pagesat e kryera ndër vite, për krijimin e kësaj pasurie.

Nga analiza paraprake për periudhën 2003-2006 kur janë shlyer këstet e kësaj pasurie, ka rezultuar bilanc negativ në shumën 3.9 milionë lekë, pasi nuk janë pranuar dy prej burimeve. Nuk është përfshirë shuma 11 mijë e 500 USD nga çelja e dëshmisë së trashëgimisë së prindërve, për shkak se nuk është provuar burimi të ardhurave të babait. Po ashtu, nuk është konsideruar në analizën paraprake një shumë 40 mijë euro e deklaruar se i është marrë kuantës, pasi shpjegimet e dhëna nga subjekti në ILDKPKI për vitin e marrjes së huas, kanë rezultuar në mospërputhje me ato në deklaratën “veting” dhe me përmbajtjen e kontratës së huas të vitit 2007.

Pas kalimit të barrës së provës, Shehu ka kundërshtuar konstatimet e Komisionit duke pretenduar se deklarimet e tij kanë qenë kosistente dhe se huadhënësja ka pasur burime financiare të mjaftueshme, pasi veç të ardhurave në emigrim, ka shitur dhe një apartament në qytetin e Beratit në vitin 1998 kundrej çmimit 600 mijë lekë.

Por, Komisioni i qëndron konstatimit se shpjegimet e Shehut janë konfuze dhe nuk krijojnë qartësi se kur ka filluar huamarrja. “…Duket se kjo hua përdoret nga subjekti si burim për të mbuluar diferencat negative të analizës financiare ndër vite”, vlerëson KPK.

Në vlerësim të shpjegimeve dhe provave të paraqitura nga Shehu, trupa e KPK ka pranuar në përfundim si të ardhura me burime të ligjshme ato të përfituara nga trashëgimia e prindërve në shumën ½ e vlerës së depozitës së tërhequr në shumën 1.2 milionë lekë, si dhe një një pjesë të shumës së dhënë hua nga shtetasja Zh.K., për pagesën e kësteve, në shumën totale 13 mijë e 130 USD në vitet 2003 dhe 2004.

Për rrjedhojë, nga analiza financiare e rishikuar, ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 1 milion e 374 mijë lekë për blerjen e apartamentit në Durrës.

Shehu ka deklaruar se pas blerjes së banesës në Durrës, me shpresën se do të jepej me qira tek ndonjë shtetas i huaj, kanë shitur një banesë në qytetin e Korçës, e blerë nga prindërit e bashkëshortes me të ardhurat prej shitjes së një banese në Elbasan, të përfituar me privatizim. Ai ka sqaruar në deklaratën “veting” se ka investuar në këtë apartament për rregullimin e çatisë, duke e përshtatur si gjysmë ambienti banimi.

Në vijim, Shehu ka deklaruar se me të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit në Korçë për shumën 6 milionë lekë, është mundësuar shlyerja e huasë marrë kunatës Zh.K..

Ai ka shtuar se pas shitjes së banesës, kanë lidhur një aktmarrëveshje me një shoqëri ndërtimi, ku me pjesën e mbetur nga vlera e përfituar pas shlyerjes së huasë, është paguar kësti i parë 1 milion lekë.

I pyetur nga Komisioni se ku ka jetuar pas shitjes së apartamentit në Korçë, Shehu ka deklaruar se deri në qershor të vitit 2008 kur kanë hyrë në banesën e re, ka vijuar të qëndrojë në apartamentin e shitur, pa pagesë, sipas një marrëveshje verbale e blerësin.

KPK e ka vlerësuar çmimin e shitjes më të lartë në raport me vlerën e apartamentit apo dokumentet e vlerësimit sipas bankës. Ndërkohë, blerësi ka marrë kredi bankare, që nuk rezulton ta ketë përdorur për blerjen e apartamentit, por për interesa të shoqërisë tregtare. Po ashtu, ka rezultuar se faturat e shërbimeve utilitare kanë vijuar të jenë në emër të subjektit të rivlerësimit dhe të paguhen prej tij.

Bazuar në këto të dhëna Komisioni ka ngritur dyshime se kjo pasuri mund të jetë në posedim të subjektit të rivlerësimit dhe se kontrata e shitblerjes mund të jetë fiktive. Për këtë arsye, të ardhurat nga shitja e këtij apartamenti nuk janë marrë në konsideratë në analizën financiare paraprake të Komisionit.

Për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 125 m2 në Korçë pas shitjes së të parit po në atë qytet, subjekti ka deklaruar se ka paguar 1 milion lekë me burim nga vlera e shitjes së apartamentit të mëparshëm. Në vitin 2009 ai ka deklaruar se për shlyerjen e çmimit 5.7 milionë lekë të këtij apartamenti, ka marrë dhe një kredi në shumën 1 milion lekë.

Nga hetimi paraprak ka rezultuar se subjekti e ka blerë apartamentin e dytë në Korçë me çmim më të ulët se i referencës. “Objekti është ndërtim i ri dhe ka një çmim dukshëm më të ulët se pasuria e shitur në vitin 2007 (ndërtim ekzistues). Duket se subjekti ble lirë dhe shet shtrenjtë”, citohet në konstatimet paraprake të hetimit të Komisionit.

Po ashtu, ka rezultuar se pagesat e kësaj pasurie janë kryer për periudhën 2009-2011, ndërkohë që subjekti ka deklaruar se e ka poseduar prej qershorit të vitit 2008.

Vlera prej 480 mijë lekësh e deklaruar për arredimin në vitin 2012 dhe 200 mijë lekë për punime të brendshme elektrike janë konsideruar prej KPK të pamjaftueshme për përshtatjen e saj për banim në qershor të 2008-ës. Ky konstatim është bazuar dhe në fotot e kësaj pasurie që gjenden në dokumentet e kredimarrjes në vitin 2012.

KPK ka ngritur dyshime në hetimin paraprak për deklarim të rremë lidhur me burimin e përdorur për shlyerjen e një huaje në vitin 2011 të marrë dy shtetasve, me burim fondet e përfituara nga një kredi e përfituar në janar të 2012-ës, pasi ato rezultojnë të jenë përdorur për veprimtari të tjera.

Trupa e KPK, pasi ka vlerësuar shpjegimet e subjektit të dhëna gjatë prapësimeve lidhur me burimet e deklaruara për krijimin e kësaj pasurie, ka çmuar të pranojë një pjesë të tyre, duke e reduktuar bilancin negativ paraprak nga 4.3 milionë lekë, në 2.8 milionë lekë.

Nga analizimi i kredisë së marrë në vitin 2012 në shumën 4.6 milionë lekë, ka rezultuar se deklarimet e subjektit për destinacionin e fondeve nuk përputhen me të dhënat e dokumentacionit bankar.

Shehu ka shënuar në deklaratën “veting” se kredia është tërhequr cash dhe është përdorur ndër vite si burim për shlyerje detyrimesh, krijim pasurish dhe mbulim shpenzimesh.

Ai ka deklaruar se 938 mijë lekë kanë shërbyer për shlyerjen e një kredie të mëparshme; 1 milion lekë për shlyerjen e një huaje marrë nga shtetasit G. K. dhe L. T.; 600 mijë lekë për vitin e dytë e të tretë të Bachelorit dhe për masterin e bashkëshortes; 450 mijë lekë për shpenzimet e vdekjes së nënës së bashkëshortes; 480 mijë lekë për arredimin e shtëpisë; 650 mijë lekë për blerjen e një automjeti dhe 500 mijë lekë për një garazh.

Ndërkohë, nga verifikimi i veprimeve bankare në llogarinë e subjektit të rivlerësimit ka rezultuar se fondet e kredisë së përfituar në janar të 2012-ës janë përdorur për shlyerjen e kredisë së mëparshme në masën 938 mijë lekë; 500 mijë lekë janë tërhequr cash; ndërsa 3 milion e 130 mijë lekë janë transferuar në llogarinë personale të shtetasit E.S.. Subjekti ka shpjeguar se këtë transfertë e ka kryer bashkëshortja në favor të nipit, për arsye të ushtrimit të aktivitetit të tij tregtar.

“Deklarimet e subjektit në Deklaratën Vetting dhe në deklaratat periodike vjetore mbi disponimin cash të vlerës së mbetur nga kredia dhe destinacioni i përdorimit për shlyerje huaje e krijim pasurish nuk gjejnë pasqyrim dhe nuk përputhen me veprimet bankare të kryera”, konstaton KPK dhe shton se subjekti i rivlerësimit ka fshehur transaksionin financiar në llogarinë e shtetasit E. S. , duke mos e pasqyruar në deklaratën “veting” dhe në deklarimin periodik vjetor, duke ngritur dyshime mbi qëllimin real të marrjes së kësaj kredie.

Edhe pas shpjegimeve të subjektit, trupa e KPK çmon se ai nuk arriti të provojë me dokumentacion justifikues ligjor pretendimin e tij se ka marrë mbrapsht fondet e dhëna nipit E. S. gjatë vitit 2012 dhe se paraqitja e deklaratave noteriale të tanishme nuk përbën provë për Komisionin.

Në përfundim të hetimit të destinacionit të vlerës së kredisë, KPK çmon se Shehu nuk mundi të provojë të kundërtën e rezultateve të hetimit lidhur me deklarimin e tij për përdorimin e fondeve të kredisë si burim për krijimin e gjendjes cash në shumën 1.5 milion lekë në vitin 2012, të dekaruar si burim për krijimin e pasurive të tjera. Në analizën financiare përfundimtare, shuma 3 milion e 130 mijë lekë është llogaritur si shpenzim në vitin 2012 duke, mos u konsidurar si burim për pasuritë e krijuara në vijim.

Për rrjedhojë ka rezultuar bilanc negativ në analizën financiare të një një automjeti të blerë në vitin 2014 dhe të një garazhi të blerë në 2015-ën, ku si burim kanë deklaruar fondet e mbetura të kredisë.

Shehu ka deklaruar në pyetësorin Standard se ka pasur në përdorim automjetin e baxhanakut, shtetasit Q.S., duke dorëzuar dhe kontratën e përdorimit të vitit 2007, pa afat. Nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka qenë përdorues i rregullt i këtij automjeti nga viti 2007 kur është blerë prej baxhanakut, deri në 2014-ën kur është tjetërsuar. “Subjekti i rivlerësimit ka përdorur në mënyrë të rregullt automjetin për udhëtime jashtë Republikës së Shqipërisë dhe rezulton se ky automjet është përdorur vetëm prej tij”, citohet në konkluzionin e KPK dhe shtohet fakti se Shehu nuk ka pasur automjete në pronësi të tij gjatë kësaj periudhe. Trupa e KPK shprehet se bazuar në këto të dhëna krijohet bindja se mjeti ka qenë i subjektit, që prej fillimit e derisa është tjetërsuar.

Në përfundim, Komisioni ka konkluduar se gjyqtari Besnik Shehu ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë dhe se ka rezultuar me një bilanc negativ për gjithë vitet e analizuara 1997-2016, në vlerën totale rreth 8.4 milionë lekë, duke çmuar se hetimi në dy kriteret e tjerë nuk do të çonte në vlerësim të ndryshëm.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *