Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar vendosi të mërkurën më 15 janar të deklarojë fajtore ish-kryetaren e Bashkisë Patos, Rajonda Balilaj për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim me tre vartës të saj, të cilët edhe këta u deklaruan fajtorë për të njëjtën vepër penale. Ata u akuzuan nga Prokuroria e Posaçme për paracaktimin e fituesve në dy tendera të Bashkisë Patos.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Flora Hajredinaj, Erjon Çela dhe Irena Gjoka, vendosën dënimin e Balilajt me dy vjet burg për të dy rastet e korrupsionit dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar prej nga përfiton uljen e 1/3-ës së dënimit, caktuan masën 1 vit e 4 muaj burgim. Po ashtu, trupi gjykues ka vendosur pezullimi e ekzekutimit të dënimit me burgim për Balilaj dhe vendosjen e saj në provë për një periudhë prej 2 vjet e 8 muaj, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale. Gjykata vendosi dhe dënimin plotësues për heqjen e së drejtës për të pandehurën për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 vjetësh.
Të pandehurat Anisa Petani dhe Enirjada Rizaj dhe Shkëlqim Beqiraj, u dënuan me nga 1 vit e 6 muaj burgim, masë që u reduktua në 1 vit heqje lirie për secilin, bazuar në aplikimin e gjykimit të shkurtuar. Edhe për këta tre të pandehur është vendosur pezullimi i ekzekutimit të dënimit dhe janë vendosur në shërbim prove për 2 vjet. Gjykata ka vendosur po ashtu dënim plotësues për heqjen e të drejtës për ushtrimin e funksioneve publike për 5 vjet.
Balilaj drejtoi Bashkinë e Patosit për periudhën 2011-2023 dhe më pas u promovua në pozicionin e Prefektes së Qarkut Fier, funksion nga i cili u pezullua me vendimin të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë në muajin mars të vitit të kaluar.
Sipas SPAK, nga hetimi i procedurës së prokurimit për ndërtimin e një muri mbajtës në rrugën Dukas-Breg në territorin e Bashkisë Patos, të pandehurit Balilaj, Petani, Beqiraj dhe Enirjada Rizaj, kjo e fundit anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë favorizuar në kundërshtim me ligjin dhe shpallur fitues operatorin ekonomik “Genti 001”. Prej hetimeve ka rezultuar se, nga dokumentacioni i dorëzuar nga ofertuesit e parë, duhej të ishte shpallur fitues një tjetër kompani, që përveçse përmbushte kushtet, kishte dhe ofertë në vlerën 1,5 milion lekë më të vogël se operatori ekonomik “Genti 001”.
Situatë e njëjtë është konstatuar dhe për një tender tjetër, po për ndërtim të një muri mbajtës në rrugën e fshatit Rruzhdie. Punimet që janë kryer nga e njëjta kompani, janë promovuar në një televizion lokal 10 ditë përpara se ky operator ekonomik të shpallej fitues dhe të lidhte kontratën me Bashkinë Patos.




