Prokurori Kujtim Bashaj gjatë seancës dëgjimore. Foto: Vkladimir Karaj.
KPK Lajme

Prokurori Kujtim Bashaj u përball me barrë prove për bilancet negative

Prokurori Kujtim Bashaj, u përball të premten në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me një sërë pyetjesh të lidhura kryesisht me blerjen e një apartamenti në vitin 2005 dhe burimin e të ardhurave për këtë apartament.

KPK që pas hetimit i ka kaluar Bashajt barrë prove për mbi 12 milionë lekë bilanc negativ, vuri po ashtu në dukje se ai nuk kishte deklaruar plotësisht pasurinë dhe kishte dhënë deklarime kontradiktore.

Sipas hetimit të trupës së kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Valbona Sanxhaktari, Bashaj ishte përfshirë në një sërë transaksionesh dhe për një pjesë prej tyre nuk kishte dokumentacion. “Ju keni marrë hua për të shlyer kreditë dhe kredi për të shlyer huatë”, tha Shuli gjatë seancës, duke vënë në dukje se ai nuk kishte shpjeguar këtë pyetje në pyetësor.

Bashaj që u mbrojt duke vënë në dukje kryesisht faktin që kishte punuar larg banesës dhe kohën kur kishin ndodhur transaksionet, shpjegoi para trupës se kredia e marrë për të shlyer huanë ishte bërë në një kohë kur ishte transferuar nga Laçi në Shkodër, ai tha se nuk donte që huadhënësi të mendonte që po i shmangej detyrimit. Bashaj kundërshtoi edhe bilancet negative duke pretenduar se apartamenti nuk ishte paguar siç përshkruhej në kontratë, por për shkak të miqësisë me shitësin kontrata ishte bërë e tillë për t’i mundësuar atij të hipotekonte banesën dhe merrte kredi për këtë.

Kujtim Bashaj e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 dhe punoi fillimisht si prokuror i Prokurorisë së Kurbinit. Në vitin 2007, Bashaj u transferua në Prokurorinë e Shkodrës, ndërsa prej vitit 2012 e ushtron funksionin në Prokurorinë pranë Rrethit Gjyqësor Durrës.

Dyshimet mbi pasurinë

Relatorja Firdes Shuli vuri në dukje gjatë relatimit se Bashaj kishte blerë një apartament në vitin 2005, por se rrethanat rreth kësaj blerje nuk ishin të qartë, për shkak të kontratave të ndryshme, çmimeve të ndryshme dhe deklarimeve kontradiktore.

Shuli tha se apartamenti ishte prenotuar me kontratë pororsie sipas të cilës shumë ishte paguar, për vlerën 67 mijë lekë dhe sipërfaqe 142 metra. Por më pas në kontratën e shitjes vlera ishte ulur në 52 mijë euro dhe sipërfaqja në 131 metra. Në deklarime Bashaj, kishte pretenduar se çmimi ishte ulur për shkak të uljes së sipërfaqes. Ai kishte pretenduar se diferenca në çmim i ishte dhënë nga kompania si garazh dhe një pjesë 7 mijë uro ishte kthyer në cash.

Por Shuli ngriti dyshime mbi këtë proces. Relatorja tha se sipërfaqja e shënuar në kontratën e shitjes dhe certifikatë hipotekore ishte thjeshtë heqja e sipërfaqes së përbashkët. Ajo vuri në dukje se blerja e garazheve ishte në një kontratë më vete, në të cilën nuk përmendej fakti që ishin paguar me diferencën në çmimin e apartamentit.

Ajo po ashtu pretendoi se Bashaj nuk e kishte deklaruar kthimin pas të shumës 7 mijë euro edhe pse ky ishte detyrim.

Bashaj i cilësoi problemet e gjetura si anomali dhe vetëm në dukje të parregullta, ndërsa i shpjegoi transaksionet me marrëdhënien e ngushtë me ndërtuesin. Ai i pretendoi se në këto veprime kishte ndikuar fakti që ai kishte punuar larg shtëpisë.

I pyetur specifikisht për mosdeklarimin e shumës së kthyer Bashaj tha se e kishte marrë atë pjesë pjesë., duke pretenduar se gjithmonë kthimet kishin qenë nën shumën 300 mijë lekë, që ishte detyrim për të deklaruar.

Megjithatë KPK vuri në dukje se nga analiza financiare ai rezultonte me bilanc negativ për dy periudha. E para deri në vitin 2005 lidhur me blerjen e një apartamenti në vitin 2001 që shkonte në disa qindra mijë lekë. Ndërsa e dyta nga viti 2005 deri në vitin 2016 shkonte në minus 12.5 milion lekë dhe ndikohej kryesisht nga mos njohja si të ardhura të përfitimeve nga shitja e apartamentit, disa huave dhe disa transaksioneve me kredi.

Sipas relatimit Bashaj nuk kishte deklaruar qartësisht huatë dhe as mënyrën e kthimit të tyre dhe se shpesh në deklarime ai rezultonte kontradiktorë. KPK vuri në dukje se fillimisht burimi i një shume për të shlyer një kredi ishte deklaruar nga pagat, por më pas në deklarimin veting Bashaj kisnhte ndryshuar qëndrim dhe pretendoi se kjo shumë ishte marrë hua nga bashkëshortja.

Nga relatimi rezultonte se Bashaj kishte marrë disa herë kredi dhe hua, që veç blerjes së apartamentit kishin shërbyer për të shlyer njëra tjetrën.

Bashajt po ashtu iu kërkuan shpjegime për blerjen dhe përdorimin e makinave, sidomos sa i përket një mjeti në emër të së motrës, por që ishte përdorur prej tij vazhdimisht. KPK po ashtu i kërkoi Bashajt shpjegime në lidhje me një adresë të prindërve dhe motrës në Tiranë. Bashaj këmbënguli se transferimi ishte bërë gabimisht nga gjendja civile dhe se më pas ishte korrigjuar, por Shuli gjatë pyetjeve i vuri në dukje se ai nuk kishte bërë asnjë përpjekje për ta sqaruar këtë me zyrat e gjendjes civile në Tiranë dhe Tropojë.

Në fund të seancës Bashaj, që tha se e respektonte hetimin e KPK, kërkoi që të konfirmohej në detyrë. Seanca e njoftimit të vendimit u caktua më 18 tetor në orën 9.45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *